Trump kërkon 1 miliard dollarë për një vend të përhershëm në “Bordin e Paqes” për Gazën

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka kërkuar që shtetet të paguajnë 1 miliard dollarë për të siguruar një vend të përhershëm në të ashtuquajturin “Bordi i Paqes” në Gaza, një strukturë e re ndërkombëtare që synon zgjidhjen e konflikteve, sipas draft-statutit të siguruar nga mediat ndërkombëtare.
LEXO EDHE: Jo vetëm Rama/ Trump fton edhe Lukashenkon e Bjellorusisë në “Bordin e Paqes”
Sipas dokumentit, Shtëpia e Bardhë u ka kërkuar disa liderëve botërorë të bëhen pjesë e bordit, i cili do të drejtohet personalisht nga Trump.
Mes të ftuarve janë presidenti rus Vladimir Putin, kryeministri hungarez Viktor Orban dhe kryeministri kanadez Mark Carney.
Anëtarësimi në bord do të jetë për një periudhë 3-vjeçare, por vendet që kontribuojnë me më shumë se 1 miliard dollarë brenda vitit të parë do të përjashtohen nga ky kufizim kohor dhe do të mund të qëndrojnë më gjatë.
“Çdo shtet anëtar do të shërbejë një mandat jo më shumë se tre vjet, përveç rasteve kur kontribuon me mbi 1 miliard dollarë në fonde monetare gjatë vitit të parë”, thuhet në draft-statutin e bordit.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, struktura do të përbëhet nga:
– një bord kryesor,
– një komitet palestinez teknokratësh që do të merret me qeverisjen e Gazës së shkatërruar,
– një bord ekzekutiv, me rol kryesisht këshillimor.
Në statut thuhet gjithashtu se, “Bordi i Paqes është një organizatë ndërkombëtare që synon të promovojë stabilitetin, të rikthejë qeverisjen e ligjshme dhe të sigurojë paqe të qëndrueshme në zonat e prekura nga konfliktet”.
Dokumenti përmban edhe kritika të drejtpërdrejta ndaj institucioneve ndërkombëtare si OKB, duke theksuar nevojën për t’u larguar nga “institucione që kanë dështuar shpesh”.
Trump ka qenë një kritik i vazhdueshëm i Kombeve të Bashkuara dhe së fundmi ka njoftuar tërheqjen e SHBA-së nga 66 organizata dhe traktate ndërkombëtare, gjysma e të cilave lidhen me OKB-në.
Anëtarësimi në Bord do të jetë i kufizuar vetëm për shtetet e ftuara nga kryetari, ndërsa Trump do të ketë të drejtën edhe të përjashtojë vende anëtare, përveç rasteve kur dy të tretat e anëtarëve vendosin veto.
Nga ajo çfarë dihet deri tani, Trump ka emëruar si anëtarë të “Bordit të Paqes” Sekretarin e Shtetit Marco Rubio, ish-kryeministrin britanik Tony Blair, negociatorin Steve Witkoff dhe dhëndrin e tij, Jared Kushner.
Ndërkohë, Izraeli ka shprehur kundërshtime ndaj përbërjes së “bordit ekzekutiv për Gazën”, i cili përfshin ministrin e Jashtëm të Turqisë, Hakan Fidan, dhe diplomatin nga Katari, Ali Al-Thawadi.
LEXO EDHE: EMRAT/ Rama tha se e ftoi Trump, po kush janë anëtarët e Bordit të Paqes për qeverisjen e Gazës?