E Hënë, 2 Nëntor 2026

Trump merr “letër të rëndësishme” nga homologu ukrainas, presidenti amerikan: Zelensky gati për paqe

Presidenti i SHBA-së, Donald tha se ka marrë një letër nga Volodymyr Zelensky që pranon të “vijë në tryezën e bisedimeve” për të arritur një marrëveshje paqeje në Ukrainë.

“Unë e vlerësoj që ai dërgoi këtë letër”, tha Trump teksa iu drejtua një sesioni të përbashkët të Kongresit në Uashington, raporton BBC. 

Më herët, Zelensky tha në një postim në mediat sociale se ai ishte i gatshëm të punonte nën “udhëheqjen e fortë” të Trump për të arritur një paqe të qëndrueshme.

Deklaratat tregojnë një ftohje të tensioneve midis liderëve pas takimit të tyre të tensionuar në Zyrën Ovale javën e kaluar.

Në fjalimin e tij në Kongres, Trump tha se mori një “letër të rëndësishme” nga Zelensky dhe më pas lexoi disa fragmente nga letra.

“Letra thotë se Ukraina është e gatshme të vijë në tryezën e bisedimeve sa më shpejt që të jetë e mundur për të sjellë paqen e qëndrueshme. Askush nuk dëshiron paqe më shumë se ukrainasit”, tha Trump.

Duke vazhduar të lexonte nga letra e Zelenskyt, Trump tha: “Ekipi im dhe unë jemi gati të punojmë nën udhëheqjen e fortë të Presidentit Trump për të arritur një paqe të qëndrueshme”.

Trump tha gjithashtu se Zelensky i tha atij se ishte gati të nënshkruante një marrëveshje për mineralet e tokës së rrallë me SHBA-në.

Ukraina nuk e ka komentuar ende letrën.

Presidenti amerikan tha gjithashtu se kishte pasur “diskutime serioze” me Rusinë dhe ai “ka marrë sinjale të forta se ata janë gati për paqe”.

Trump nuk tregoi se kur u zhvilluan bisedimet, apo nëse ai ishte personalisht i përfshirë në to.

“Është koha për t’i dhënë fund kësaj lufte të pakuptimtë. Nëse doni t’i jepni fund luftërave, duhet të flisni me të dyja palët,” shtoi ai.

Takimi i Zyrës Ovale midis Zelensky dhe zyrtarëve amerikanë javën e kaluar duhej të përfundonte me nënshkrimin e një marrëveshjeje midis SHBA-së dhe Ukrainës që do t’i jepte Amerikës akses në mineralet e tokës së rrallë në Ukrainë.

Pas përplasjes, ku Trump akuzoi Zelenskyn për “bixhoz me Luftën e Tretë Botërore”, delegacioni ukrainas u largua pa e nënshkruar marrëveshjen. Trump i tha Zelenskit: “Kthehu kur të jesh gati për paqe”./vizionplus.tv

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›