E Diel, 1 Nëntor 2026

Trump optimist për një marrëveshje Moskë-Kiev, dy vendet vijuan sulmet e ndërsjella pas bisedimeve me të dërguarin e SHBA-së

Disa persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën në Ukrainë dhe Rusi pas sulmeve të fundit mes dy vendeve, që erdhën menjëherë pasi i dërguari amerikan Steve Witkoff zhvilloi bisedime me liderin rus Vladimir Putin në Shën Petersburg dhe presidentin ukrainas në Oslo.

Pas atyre takimeve, Trump u shpreh optimist, duke thënë se negociatorët ishin tani ndoshta më afër se kurrë më parë një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës. Deklarata e tij u erdhi pasi Kremlini u shpreh në parim dakord për rifillimin e bisedimeve trepalëshe që përfshijnë Rusinë, Ukrainën dhe Shtetet e Bashkuara në mes të nëntorit pas zgjedhjeve të mes mandatit në SHBA. Ndihmësi i Kremlinit, Yuri Ushakov tha se Kremlini kërkon që ato të përqendroheshin në sigurinë e pasluftës.

Zelensky tha gjithashtu se edhe Ukraina e mbështet rifillimin e bisedimeve trepalëshe, por lidhur me sulmet e fundit lëshoi akuza ndaj Moskës. “Goditjet me raketa ruse nuk tregojnë asnjë ndryshim në qëndrimin e Kremlinit pas bisedimeve me SHBA-në” – tha Zelensky ndërsa në Kiev, Symi, Kharkiv dhe Zhaporizhia u regjistruan viktima.

Autoritetet ukrainase bënë me dije se raketat ruse shënjestruan infrastrukturën rrugore dhe shëndetësore. Nga ana tjetër, Moska tha se disa persona u plagosën në rrethinat e Moskës dhe rajonin Tula, ndërsa raportoi se gjatë natës mbrojtja ajrore rrëzoi mbi 800 dronë ukrainas mbi rajone të ndryshme të Rusisë dhe në Krimenë e pushtuar prej saj 12 vite më parë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›