Trump pezullon ndihmën e Ukrainës, BE plan 800 miliardë euro për armatosjen e Evropës

Presidenti amerikan Donald Trump ka pezulluar ndihmën ushtarake për Kievin pas përplasjes së tij me presidentin ukrainas Volodymir Zelensky.
“Ne po e ndalojmë dhe shqyrtojmë ndihmën tonë, për t’u siguruar se ajo i kontribuon zgjidhjes”, ka deklaruar një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, duke folur në kushte anonimiteti.
Por nuk do të jetë një ndalim i përhershëm i ndihmës. Mediat e huaja bëjnë me dije se transferimi i armëve me vlerë 3.85 miliardë dollarë, i autorizuar nga Kongresi amerikan nën qeverisjen e ish-presidentin Joe Biden, nuk është proceduar ende nga Uashingtoni. Po ashtu asnjë ndihmë e re nuk është miratuar nga Trump pas marrjes së detyrës së tij.
Demokratët e dënuan menjëherë vendimin për pezullimin e ndihmave, duke e cilësuar si të rrezikshëm dhe të paligjshëm.
“Kolegët e mi republikanë, të cilët e kanë quajtur presidentin rus, Vladimir Putin kriminel lufte dhe kanë premtuar mbështetjen e tyre të vazhdueshme për Ukrainën, duhet të bashkohen me mua dhe të kërkojnë që presidenti Trump të heqë dorë nga kjo ngrirje katastrofike dhe e paligjshme”, tha përfaqësuesi demokrat, Gregory Meeks.
Sakaq Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka përsëritur se po angazhohet të mbështesë Ukrainën, pasi administrata e Donald Trump pezulloi ndihmën ushtarake amerikane.
“Ne mbetemi absolutisht të përkushtuar për të siguruar një paqe të qëndrueshme në Ukrainë dhe po angazhohemi me aleatët kryesorë në mbështetje të kësaj përpjekjeje. Është gjëja e duhur për të bërë dhe është në interesin tonë ta bëjmë këtë. Ne kemi forcuar aftësitë ushtarake të Ukrainës përmes angazhimit tonë për t’i ofruar Ukrainës 3 miliardë paund në vit ndihmë ushtarake për aq kohë sa duhet duke përdorur asete të sanksionuara ruse”, tha qeveria britanike në një deklaratë.
Ministri për Evropën i Francës ka thënë se vendimi i SHBA për të ndërprerë ndihmën ushtarake për Ukrainën e bën paqen “më të largët”.
“Në thelb, nëse doni paqe, një vendim për të pezulluar armët në Ukrainë e përforcon paqen apo e bën atë më të largët? E bën më të largët, sepse vetëm forcon dorën e agresorit në tokë, që është Rusia”, tha ministri Benjamin Haddad.
Në një reagim për vendimin e Trump kryeministri i Çekisë Petr Fiala, ka bërë thirrje për një “ndryshim themelor” në politikën evropiane.
“Ne duhet të forcojmë aftësitë tona ekonomike dhe ushtarake dhe të marrim përgjegjësinë e plotë për sigurinë tonë. Kjo kërkon rritje të investimeve në mbrojtje” ka thënë shefi i qeverise çeke.
Në të njëjtën linjë eshte edhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se planet e reja të BE-së për ta fuqizuar industrinë e mbrojtjes të Evropës dhe për rritjen e kapaciteteve ushtarake mund të mobilizojnë afro 800 miliardë euro. Ajo sugjeroi lejimin e vendeve të BE-së për të marrë deri në 150 miliardë euro kredi si pjesë e një plani prej për të rritur shpenzimet e mbrojtjes.
“Ne jemi në një epokë riarmatimi dhe Evropa është e gatshme të rrisë masivisht shpenzimet e saj të mbrojtjes, si për t’iu përgjigjur urgjencës afatshkurtër për të vepruar dhe për të mbështetur Ukrainën, por edhe për të adresuar nevojën afatgjatë për të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë tonë evropiane”, tha Ursula von der Leyen.
I vetmi anëtar i Bashkimit Evropian që mbështeti vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ishte Hungaria./vizionplus.tv