E Hënë, 2 Nëntor 2026

Trump shtyn afatin për tarifat ndaj disa vendeve, përshkallëzon luftën tregtare me Japoninë e Korenë e Jugut

Pas letrave dërguar krerëve të 14 vendeve për t’i informuar mbi normën e re tarifore për importet amerikane, Presidenti Donald Trump ka nënshkruar vendimin ekzekutiv për të zgjatur datën për të gjitha tarifat “reciproke”, duke përjashtuar Japoninë e Korenë e Jugut.

Këto tarifa pritej të hynin në fuqi të mërkurën. Në disa raste, letrat që Trump dërgoi specifikojnë tarifa të reja “reciproke” që janë më të larta ose më të ulëta krahasuar me nivelet e prillit.

Por Trump nuk ishte përfundimtar kur u pyet nëse afati i ri i 1 gushtit ishte “i prerë”.

“Do të thoja i prerë, por jo 100% i prerë. Nëse ata na telefonojnë dhe thonë se do të donin të bënin diçka ndryshe, ne do të jemi të hapur për këtë.”, tha ai.

Kryeministri i Japonisë Shigeru Ishiba dhe Presidenti i Koresë së Jugut Lee Jae-myung ishin marrësit e parë të letrave të Trump.

Të dy vendet do të përballen me një tarifë prej 25% më 1 gusht, sipas letrave, por të dy vendet thanë të martën se planifikojnë të angazhohen në bisedime të mëtejshme me SHBA-në.

Trump njoftoi se letra të ngjashme iu dërguan Malajzisë, Kazakistanit, Afrikës së Jugut, Mianmarit dhe Laosit, duke i informuar udhëheqësit e tyre për tarifat e reja deri në 40%.

Trump argumenton se vendosja e tarifave do të mbrojë bizneset amerikane nga konkurrenca e huaj dhe gjithashtu do të nxisë prodhimin vendas dhe vendet e punës.

Japonia dërgoi më shumë se 148 miliardë dollarë (108.6 miliardë paund) mallra në SHBA vitin e kaluar, duke e bërë atë furnizuesin e pestë më të madh të importeve të Amerikës, pas Bashkimit Evropian (BE), Meksikës, Kinës dhe Kanadasë, sipas të dhënave tregtare të SHBA-së . Koreja e Jugut ishte gjithashtu në 10 vendet e para.

Përveç Koresë së Jugut dhe Japonisë, Trump të hënën paraqiti plane për një tarifë prej 40% për mallrat nga Mianmari dhe Laosi, një tarifë prej 36% për mallrat nga Tailanda dhe Kamboxhia, një tarifë prej 35% për mallrat nga Serbia dhe Bangladeshi, një tarifë prej 32% për Indonezinë, një tarifë prej 30% për mallrat nga Afrika e Jugut dhe një tarifë prej 25% për mallrat nga Malajzia dhe Tunizia.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›