Liqeni i Zambakëve në Shkodër. Udhëtimi me varkë, mënyra më e bukur për të shijuar pamjen

Liqeni i Shkodrës është një nga ekosistemet më të pasura dhe më të veçanta të Ballkanit.
Në mesin e gjallesave të shumta që jetojnë në këtë habitat, bimësia e larmishme dhe unike përbën një vlerë të çmuar për ruajtjen e ekuilibrave natyrorë.
Mënyra më e mirë për të përjetuar bukuritë e liqenit mbetet udhëtimi me varkë, që të çon mes kallamishtesh, zambakësh uji dhe panoramash të gjalla natyrore.
36 lloje peshqish jetojnë në këta ujëra dhe 18 prej tyre vetëm në liqenin e Shkodrës, nuk gjenden kund tjetër. 270 specie e bëjnë liqenin e Shkodrës një ndër rezervatet më të mëdha natyrore të shpendëve në Europë.
Të gjitha këto gjallesa kanë nevojë për ushqim, për bimësi, të cilën liqeni i Shkodrës e ofron me shumicë. Janë rreth 25 specie të kësaj bimësie që vlerësohen si të rralla, por njëkohësisht të rrezikuara.
“E gjithë pjesa lindore e liqenit të Shkodrës dominohet kryesisht nga zambakët e ujit, që janë dy llojesh: i bardhë dhe i verdhë. Zona e kallamishteve është habitat i rëndësishëm sepse gjatë gjithë vitit strehohen shumë shpendë ujorë, mbrohen nga temperaturat ekstreme si gjatë dimrit, edhe verës, prandaj kjo pjesë e liqenit mbrohet në mënyrë strikte. Hyrja në këto pjesë duhet patjetër të shoqërohet me guidë natyrore,” shpjegon biologia Aurora Piroviç.
Emërtime të tilla, si “Liqeni i Zambakëve, i Pelikanit apo i Krapit”, janë dëshmi e lidhjes së ngushtë mes natyrës dhe jetës së përditshme në këtë zonë.
Shkodra dhe gjithë rajoni përreth janë të bekuar me një thesar natyror të tillë, i cili kërkon mbrojtje, promovim dhe vlerësim të vazhdueshëm, jo vetëm për vlerat që ofron për biodiversitetin, por edhe për potencialin e madh në zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm
Gazetar: Adrian Hoti
/rtsh.al/