E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trupat amerikane tërhiqen nga Iraku

Pas një lufte gati 9 vjeçare, trupat luftarake amerikane janë tërhequr nga Iraku. Ndërkaq mediat amerikane raportojnë lidhur me sfidat me të cilat përballet iraku pas tërheqjes së forcave amerikane, duke iu referuar deklaratave të 3 ish zyrtrë të lartë amerikanë. Ushtari i fundit amerikane u largua nga Iraku muajin e kaluar, duke lënë pas një vend, që Presidenti Barak Obama e përshkroi si “sovran, të qëndrueshëm dhe që mund të mbështetet tek burimet e veta”. Tërheqja amerikane përmbushi një premtim të vetë Presidentit Obama. Gjithashtu kjo tërheqje ishte një objekt debati me udhëheqësit irakianë, të cilët kërkonin vazhdimin e pranisë së një kontigjenti amerikan. Por qeveria irakiane refuzoi t`u garantonte këtyre trupave imunitet nga ndjekja penale në bazë të ligjit irakian, ashtu siç u kërkua nga Uashingtoni. Që prej tërheqjes amerikane, Iraku është përballur me një krizë politike në rritje dhe ka qënë skenë e një sërë bombardimesh. Megjithatë, Sekretari i Mbrojtjes, Leon Panetta, foli me nota pozitive para disa ditësh kur tha se Shtetet e Bashkuara janë të bindura se qeveria dhe forcat irakiane të sigurimit janë të afta të parandalojnë kërcënimet ndaj sigurisë së vendit të tyre. Por ish sekretari i mbrojtjes, William Cohen nuk është i këtij mendimi dhe thotë se nuk mendon se aktualisht Iraku është i aftë të vetëmbrohet nga kërcënimet e jashtme ose të marrë masat e duhura kundër kërcënimeve të brendshme. Cohen pohon se disa trupa amerikane do të qëndrojnë në atë rajon. Edhe Ish këshilltari i sigurisë kombëtare, gjenerali Brent Scowcroft thotë se trupat amerikane duhet të kishin qëndruar më gjatë në Irak. Ndërsa ish-ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara, John Bolton shikon një kërcënim tjetër për Irakun. “Mendoj se influenca dhe rreziku nga Irani si dhe rreziku i kthimit të një baze shumë oportuniste nga Al-Kaida në Irak janë shumë të mëdha”.Ekspertët thonë se programi i dyshuar bërthamor i Iranit nuk ndihmon në nxitjen e stabilitetit rajonal. Dhe bashkë me një Irak të paqëndrueshëm, thonë ata, ka të ngjarë që ky rajon të përballet me një periudhë të gjatë pasigurie e paqëndrueshmërie.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›