E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tryeza e Topit me format të ri

Ambasadorët, kontakte me dy palët. Presidenti pret përgjigje nga Berisha dhe Rama

Nuk do të zhvillohet asnjë takim në Presidencë para arritjes së një akordi paraprak midis përfaqësuesve të qeverisë dhe opozitës. Ndërkohë ambasadorët e kancelarive perëndimore kanë pasur kontakte intensive me zyrtarë të PD-së dhe PS-së, të cilëve iu është bërë e ditur një gjë: Gjithçka duhet të mbyllet deri të hënën paradite. Ndryshe pasojat do të jenë të rënda. Përveç paralajmërimit, ndërkombëtarët kanë marrë përsipër edhe ndihmën për të dalë nga kriza, duke pranuar që të lehtësojnë gjetjen e rrugëve të komunikimit ndërmjet palëve.

Koha

Diplomatët perëndimorë kanë vazhduar me intensitet kontaktet me negociatorë të “zgjedhur” nga mazhoranca dhe opozita, ndërkohë që Presidenti i Republikës, Bamir Topi, pret një sinjal nga lideri i opozitës, Edi Rama, për të nisur një tur të ri bisedimesh, por që nuk do të jenë një tryezë. Burime diplomatike i thanë “Shqip” se nga pasditja e ditës së sotme, ambasadori i Spanjës në Tiranë, Manuel Montobio, pret një përgjigje të saktë nga Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, dhe lideri i opozitës, Edi Rama, nëse bien dakord të hyjnë në negociata dhe të arrijnë një marrëveshje e cila do t’i jepte fund grevës së urisë dhe do të vendoste paqe mes qeverisë dhe opozitës. Nesër në mëngjes, përfaqësuesi i Presidencës spanjolle të Bashkimit Europian, do të duhet të komunikojë me sekretarin e Shtetit për BE-në në qeverinë spanjolle, Diego López Garrido, i cili do të drejtojë takimin e Këshillit të Stabilizim-Asocimit mes Bashkimit Europian dhe Shqipërisë që zhvillohet në martën në mesditë. Vetëm 15 minuta para orës 15:00 nga Brukseli do të transmetohet direkt mesazhi përfundimtar i BE-së nëse do të japë “OK” për dhënien e statusit të vendit kandidat apo marrëdhëniet mes Tiranës dhe Brukselit do të pësojnë sërish hapa prapa.

Diplomatët

Pas takimit të së premtes mes ambasadorëve të BE-së dhe atij të SHBA-së me Presidentin Topi, mësohet se diplomatët e kancelarive perëndimore janë vënë në lëvizje në një aksion të “paprecedent” deri tani duke aktivizuar kanale nga të dyja palët për të nisur një negociatë në distancë për zgjidhjen e krizës. Burime nga selia blu, por edhe nga Partia Socialiste, kanë pranuar zhvillimin e kontakteve, por nuk kanë dhënë asnjë detaj mbi bisedimet që po zhvillohen. Mësohet se është folur edhe për një draft paraprak ku mund të diskutohet, por këtu qëndron edhe pjesa më e vështirë. Një diplomat perëndimor thekoi se një njeri shumë afër Kryeministrit Berisha dhe një deputet socialist janë konsultuar gjerësisht gjatë një vizite në një kryeqytet të rëndësishëm perëndimor. Madje edhe në prezencën e një eksperti të huaj, i cili gëzon respekt si në radhët e qeverisë ashtu edhe të opozitës.

Presidenti

Sot nuk pritet asnjë takim, bënë të ditur burime në selinë qendrore të shtetit shqiptar, duke lënë të kuptohet se diçka mund të ndodhë, duke filluar nga dita e nesërme. Por mësohet se asgjë nuk është vendosur. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, pret një mesazh të qartë nga lideri i opozitës, Edi Rama, në lidhje me nisjen e një serie të dytë bisedimesh mes mazhorancës dhe opozitës, por kësaj radhe me një format krejt të ndryshëm nga ai i 13 shkurtit. Presidenti Topi zhvilloi dy ditë më parë takime me ambasadorin e SHBA-së në Tiranë, John Withers, si dhe me dy ambasadorët drejtues të BE-së në Shqipëri: Montobio dhe Lohan, por edhe me zëvendëskryeministrin Meta, i cili po përflitet si një negociator i mundshëm. Në takim është folur për rinisjen e dialogut politik mes palëve dhe dhënien fund të krizës. Por siç theksoi një diplomat perëndimor “e ardhmja e marrëdhënieve Shqipëri-BE, si rrallëherë gjendet “në fije të perit”.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›