Ministria e Transporteve: Tuneli i Kalimashit hapet më 21 maj
Pas lajmit të botuar në “Shqip” një ditë më parë mbi mundësinë e hapjes së tunelit më 20 maj, vjen konfirmimi nga burime zyrtare. I pari nga vetë Ministria e Transporteve dhe Punëve Publike, me zv.ministrin e saj, Ernest Noka. Numri dy i Transporteve tha dje për mediat se, tuneli i Thirrës në Kalimash, pjesë e autostradës Durrës-Kukës-Morin, do të jetë gati më 21 maj. "Duke llogaritur se një pjesë e madhe e qytetarëve kosovarë dhe e emigrantëve e shfrytëzojnë këtë tunel për të kaluar pushimet në bregdetin shqiptar, ky tunel do të jetë i gatshëm për qarkullim", tha Noka.
Sipas tij, tuneli ka përfunduar së betonuari, janë hequr tërësisht armaturat dhe është në proces asfaltimi, ndërsa po punohet edhe për instalimin e rrymës dhe aparaturave të ndryshme, si kamera etj.
Një tjetër konfirmim vjen nga drejtuesit e kompanisë “Bechtel&Enka”, e cila është marrë me ndërtimin e rrugës. Sipas tyre, “nuk ka asnjë mëdyshje. Tuneli jugor i Kalimashit do të hapet më 21 maj. Sot kemi filluar hedhjen e shtresave të asfaltit në gjatësinë prej 1 kilometri në mesin e tunelit, pasi pjesa tjetër ka qenë e asfaltuar më parë”. Kompania kërkon ndihmën e policisë që të mos lejojë deri më 21 maj qarkullimin e automjeteve me leje zyrtare nëpërmjet tunelit të Kalimashit.
Këtë fakt e ka konfirmuar edhe drejtori i Policisë së Qarkut të Kukësit, Sadri Ramçaj. Ai ka thënë se zyrtarë të “Bechtel&Enka” kanë pohuar se është lyer më shumë se gjysma e sipërfaqeve të mureve të tunelit jugor, ndërsa është në përfundim edhe instalimi i pajisjeve elektrike.
Qeveria nuk ka mundur të japë një datë të saktë se kur do të hapet rruga që preku 10 për qind të GDP-së së vendit, dhe se të gjitha afatet e përmendura nga zyrtarët e transporteve nuk kanë dalë të vërteta.
Tuneli i Thirrës u mbyll në fillim të muajit tetor të vitit të kaluar. Në njoftimin e MPPTT-së thuhej se "tuneli do të mbyllet me qëllim që t'i jepet mundësi kompanisë ndërtuese të përfundojë instalimin e pajisjeve elektromekanike, të domosdoshme për funksionimin e tij, si dhe për të sistemuar presionin e krijuar nga një shtresë gjeologjike jo e qëndrueshme në një segment të vogël, një situatë kjo e paparashikuar për të cilën kontraktori po punon në vijimësi".
#