E Hënë, 2 Nëntor 2026

Tryezë për medien – Promovimi i lirisë së shprehjes, kriteret për anëtarësimin e Shqipërisë në BE

Pavarësia e medies, siguria e gazetarëve, kushtet e punës, transparenca, janë disa nga çështjet më të rëndësishme që u diskutuan në tryezën e organizuar nga delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri në bashkëpunim me Këshillin e Europës dhe Departamentin e Gazetarisë.

Kreu i delegacionit të BE-së, Silvio Gonzato, kërkoi përfshirjen e të gjithë aktorëve në procesin e lirisë së medies, pasi sipas tij ajo mbetet një nga kushtet për integrimin e Shqipërisë në BE.

Gonzato në fjalën e tij theksoi: “Siç e dimë, Shqipëria ka marrë përsipër të përmbushë kriteret për negociatat dhe hyrjen në BE në mënyrë ambicioze për një kohë shumë të shkurtër në 2027, ndaj nuk kemi kohë të humbasim. Në të njëjtën kohë do të thosha se sigurisht shpejtësia nuk mund të cenojë transparencën dhe gjithëpërfshirjen. Është me të vërtetë shumë e vështirë një balancë që kërkon përpjekje të mëdha, por mendoj që kjo platformë po bën atë që po flasim, sepse vetëm me përfshirjen e të gjithë aktorëve dhe palëve pjesëmarrëse, dhe atyre të interesuar përmes kësaj forme, do të mund të përmbushim kriteret.”

Të njëjtin qëndrim mbajti edhe kryesuesja e zyrës së Këshillit të Europës në Tiranë, e cila kërkoi angazhimin e të gjithë palëve për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Shefja e Zyrës se Këshillit të Europës në Tiranë, Gulia Re, nënvizoi se “në Këshillin e Europës ne besojmë se ideja e angazhimit shumëpalësh dhe shumënivelësh është ajo çka na sjell gjithëpërfshirjen. Projekti ka nxitur sesione të ndryshme me qëllimin për të mbështetur standardet e lirisë së shprehjes dhe profesionalizmin.”

Një nga rekomandimet e BE-së, e diskutuara në tryezat me grupet e punës, lidhet jo vetëm me pavarësinë institucionale, por edhe financiare. Eksperti Lutfi Dervishi vuri theksin dhe tek tarifa e ulët e transmetuesit publik. Ai theksoi se: “Mënyra e financimit është një skemë mikse. Kryesisht tek tarifa, një pjesë të buxhetit nga parlamenti për investime teknike dhe burime të tjera që janë reklamat apo burime të tjera që ofron transmetuesi publik. Në këtë pikë, direktiva europiane për medien kërkon një procedurë transparente, objektive dhe të qëndrueshme. Tarifa është shumë e ulët, ndërsa komisioni që merr agjencia për mbledhjen e kësaj tarife është shumë e lartë. Tarifa nuk është indeksuar asnjëherë që prej vitit 2011, kur ka filluar funksionimi. RTSH-ja është gjithmonë në presionin e Parlamentit për të siguruar fonde çdo vit, në një kohë që kjo duhet të ishte garantuar me ligj që financimi të jetë për disa vite.”

Përgjatë diskutimeve dhe gjetjeve të bëra publike, profesor Artan Fuga u ndal edhe tek digjitalizimi.

Kjo platformë përfshiu diskutime dhe dialogë përgjatë një periudhe 6-mujore me grupet e punës, ku morën pjesë përfaqësues të medies, qeverisë dhe shoqërisë civile. Rekomandimet nga tetë takimet tematike të zhvilluara pritet t’i dorëzohen Kuvendit brenda muajit korrik për ndërtimin e kuadrit ligjor në funksion të procesit të integrimit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›