E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kriza në Kuvendin e Kosovës, Kurti shprehet i gatshëm të takohet sërish me krerët e partive të tjera

Për të dalë nga kriza politike ku ndodhet kuvendi si dhe institucionet e tjera të Kosovës, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti u shpreh sot i gatshëm për t’u takuar sërish me krerët e partive politike në vend.

I gatshëm për t’u takuar sërish me udhëheqësit e partive të tjera politike për zhbllokimin e krizës në Kuvend u shpreh të hënën kreu I lëvizjes vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë I Kosovës Albin Kurti.

“ Unë gjithmonë jam i gatshëm për takime dhe konsultime konstruktive, po ashtu për bashkëpunim në mirëbesim dhe konsensus e kompromis. Kam ofruar dy kompromise. I pari është që partitë politike t’i delegojnë përfaqësuesit dhe me atë rast, nëse nuk e duan votimin e fshehtë, ta rrëzojmë me votë. Pa votë i njëjti nuk rrëzohet, dhe me bojkot nuk shkohet përpara. Pasi të rrëzohet ai komision, mund të kthehemi te vota e hapur, dhe me këtë rast le të kemi marrëveshje politike. Natyrisht, që kryetari dhe pesë nënkryetarët në marrëveshje paketë të votohen një nga një, por me marrëveshje paraprake. Ose kompromisi tjetër është ofruar njëanshëm nga kandidatja jonë, Albulena Haxhiu, e cila ka deklaruar se nëse nuk votohet me votim të fshehtë, nuk do të ketë nevojë të votohet dy herë për të, pasi tërhiqet. Le të provojmë votimin e fshehtë: ose fiton Albulena, ose ne sjellim një emër tjetër…PDK plus LDK nuk bëjnë sa LVV-ja. Ky është fakt i jetës dhe demokratik, me të cilin duhet të pajtohen,”-tha Kurti.

Ndër të tjera Kurti, kërkoi dorëzimin nga Serbia të ish-nëkryetarit të Listës Serbe, Milan Radojçiq, dhe 44 forcave të tjera paraushtarake që morën pjesë në sulmin terrorist të Banjëkës ku humbi jetën efektivi Afrim Bunjaku.

 “Ne kërkojmë dorëzimin e kryekriminelit dhe krye terroristit Radojçiq me 44 paramilitarët e tjerë që morën pjesë në sulmin terrorist dhe kriminal të shtatorit të vitit 2023. Tash, të njëjtit janë edhe më afër se mbrojtja e afërt e presidentit të Serbisë. Kjo tregon se kemi pasur të drejtë kur kemi thënë se ky grup kriminal dhe terrorist është i dirigjuar dhe financuar nga Beogradi, dhe nuk është një grup huliganësh. Janë njerëz që janë ushtruar në Serbi, i marrin urdhërata prej andej dhe kanë bërë agresion në Kosovë. Ata duhet t’i dorëzohen Kosovës. Kjo flet se kemi pasur të drejtë dhe tregon për regjimin e Beogradit, i cili në njërën anë i mohon krimet gjatë luftës në Kosovë dhe në anën tjetër vetëm sa e rrit bashkëpunimin me Rusinë,”

Komentet Kurti I bëri gjatë inaugurimit të një çerdheje në fshatin Bardhosh të Prishtinës, një ditë pasi kuvendi dështoi sërish në konstituimin e legjislaturës së tij të nëntë.

Të shtunën, Kurti mbajti një takim me udhëheqësit e partive të tjera politike për ngërçin e krijuar në kuvend, që u mbyll pa ndonjë rezultat.

Ndërkaq edhe presidentja Vjosa Osmani pritet që në ditët e ardhshme të takohet me partitë politike, nga të cilat është shprehur se pret që të përmbushin konstituimin e kuvendit brenda afatit 30 ditor që nisi nga data 26 qershor caktuar nga Gjykata Kushtuese e vendit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›