Tryezë shkencore në Ditën e Alfabetit, studiues dhe akademikë diskutojnë zhvillimet në gramatikën dhe studimet gjuhësore

Në kuadër të Ditës së Alfabetit, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë organizoi Tryezën Shkencore me temë “Gramatika e gjuhës shqipe në perspektivën e qasjeve të reja teorike”.
Prof. dr. Tomorr Plangarica paraqiti studimet dhe analizat e tij më të fundit, duke sjellë një panoramë të qartë mbi zhvillimet moderne në fushën e gramatikës.
“Se pari, si problem paraprak do të doja të theksoja poliseminë e emërtimit gramatik. Çfarë kuptohet me këtë emërtim? Duket si diçka e thjeshtë, por në fakt ka një problematikë më vete e cila ngërthehet pikërisht në këtë emërtim. Si çështje e dytë, kontekstet e ndryshme epistemologjike dhe shumësia e gramatikave”, tha Prof. dr. Tomorr Plangarica.
Ndërkohë, studiuesi Leonard Dauti solli një qasje të thelluar mbi zhvillimet bashkëkohore në studimet gjuhësore.
“Një prej kategorive më të ndërlikuara dhe të vështira për shkrimin dhe interpretimin gjuhësor, modaliteti, ashtu sikurse edhe ndonjë kategori tjetër si shkalla apo evidencialiteti, përbën gjithmonë një sfidë për gjuhëtarët sa i takon përfaqësimit dhe përshkrimit të saktë e të plotë të tyre në një gramatikë”, tha Dauti.
Tryeza konfirmoi edhe një herë rëndësinë e studimeve gjuhësore në ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës shqipe. Pjesëmarrësit u shprehën se aktivitetet e tilla nxisin dialogun shkencor dhe bashkëpunimet akademike. Instituti i Albanologjisë shprehu angazhimin për të vijuar me organizimin e iniciativave që mbështesin kërkimin dhe edukimin gjuhësor.
Gazetare: Bjolanda Cuku
/rtsh.al/