E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria kërkon pezullimin e vendimit të GJKKO për Belinda Ballukun

Është bërë publike kërkesa e Këshillit të Ministrave drejtuar Gjykatës Kushtetuese, lidhur me vendimin e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), e cila një ditë më parë vendosi pezullimin nga detyra dhe bllokimin e pasaportës për zv/kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Nga kërkesa e zbardhur nga Gjykata Kushtetuese, Kryeministria argumenton se është krijuar një konflikt kompetencash midis Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave, nga njëra anë, dhe Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, nga ana tjetër, lidhur me të drejtën për pezullimin e një anëtari të kabinetit qeveritar.

Në dokumentin e dorëzuar, Këshilli i Ministrave kërkon: Pezullimin e vendimit nr.118, datë 19.11.2025, deri në shqyrtimin e çështjes nga Kushtetuesja.Shfuqizimin e vendimit për pjesën që ka vendosur masën ndaluese ndaj Ballukut. Interpretimin e nenit 103, pika 3, të Kushtetutës, që lidhet me ushtrimin e detyrës së anëtarit të Këshillit të Ministrave.

Kujtojmë se sot paradite Kryeministri Edi Rama ka komentuar vendimin e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) për pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Rama deklaroi se qeveria do të respektojë vendimin dhe nuk do të përfshihet në “beteja politike e retorike” me drejtësinë e re, duke theksuar se mbrojtja e pavarësisë së gjyqësorit mbetet prioritet absolut. Megjithatë, ai shtoi se cenimi i pavarësisë së ekzekutivit nga ky vendim do të trajtohet në Gjykatën Kushtetuese.

Kryeministri i Republikës së Shqipërisë kërkon

1.            Zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave, nga njëra anë, dhe Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), nga ana tjetër, lidhur me pezullimin e ushtrimit të detyrës së anëtarit të Këshillit të Ministrave

2.            Shfuqizimin e vendimit nr.118, datë 19.11.2025, të GjKKO-së, për pjesën që ka disponuar vendosjen e masës ndaluese të pezullimit të ushtrimit të detyrës së Zëvendëskryeministrit dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, si një akt që cenon garancinë e imunitetit të anëtarit të Këshillit të Ministrave, parimin e ndarjes së pushteteve dhe kompetencat e organeve, që Kushtetuta ka caktuar si autoritete, që propozojnë, emërojnë dhe miratojnë ministrat në detyrë

3.            Pezullimin e efekteve të vendimit të mësipërm të GJKKO-së, deri në përfundimin e gjykimit të kësaj kërkese nga Gjykata Kushtetuese

4.            Interpretimin e pikës 3, të nenit 103, të Kushtetutës, në kuptimin që “Anëtari i Këshillit të Ministrave, duke gëzuar imunitetin e deputetit, përfiton nga të gjitha garancitë procedurale, që i njeh jo vetëm Kushtetuta këtij të fundit, por edhe legjislacioni procedural penal”, thuhet në shkresën e Këshillit të Ministrave.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›