Tullumbace me oksid azoti/ Balla: Do e ndalojmë, shumë shpejt ligji në Kuvend

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ka deklaruar se shumë shpejt tullumbacet me oksid azoti do të klasifikohen një lëndë e ndaluar.
Shqetësimi u ngrit në Kuvend fillimisht nga deputeti demokrat Agron Gjekmarkaj dhe u pranua nga ministri Balla. Sipas ministrit, lënda përdoret në stomatologji, por së fundmi edhe si lëndë narkotike nga të rinjtë.
Balla theksoi se legjislacioni shqiptar nuk e njeh ende si lëndë të rrezikshme, por po punohet drejt ndalimit të saj.
“Dua ta informoj Kuvendin se edhe për çështjen që ngriti z. Gjekmarkaj, prej ditës së parë në këtë detyrë i kam kërkuar policisë të identifikojë llojet e lëndëve narkotike apo lëndëve që në legjislacionin shqiptarë nuk njihen si të tilla, por që janë kthyer sot në një trend të rrezikshëm të përdorimit dhe krijimit të varësisë së fëmijëve në lëndë të ndryshme narkotike.
Policia po e bazon veprimin e vetë në mungesë të legjislacionit që do e sjellim shumë shpejt në Kuvend për ta klasifikuar dhe këtë formë të oksidit të azotit një lëndë të palejuar. Kjo lëndë ka hyrë prej vitesh në Shqipëri duke paguar doganën. Ajo konsiderohet në disa konventa që duhet vënë nën kontrollin e shtetit për përdorim, pasi është përdorur në stomatologji për ndërhyrje te fëmijët”, tha Balla.
/rtsh.al/