E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tumori i tiroides, shërbime të specializuara në QSUT

TIRANË- Të gjithë pacientët, të cilët më parë drejtoheshin në klinika jashtë vendit për shërbime të specializuara të tiroides, tashmë do të gjejnë përgjigjen në vend, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë.

Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, i pranishëm në hapjen e dy dhomave të plumbuara, ku për herë të parë bëhet e mundur trajtimi me doza të larta të jodit 131 në patologjitë malinje të tiroides, tha se “deri më sot pas ndërhyrjes kirurgjikale të tiroidektomisë totale dhe trajtimit me doza ablative deri në 30 mCi I- 131 të sëmurëve i rekomandohej trajtim i mëtejshëm jashtë shtetit, me hapjen e këtyre dy dhomave pacientët pritet të marrin trajtimin në QSUT”.

Kjo, sipas tij, vërteton faktin se shërbimi shëndetësor shqiptar po ecën drejt rrugës së futjes së shërbimeve të reja, duke stabilizuar shërbime bashkëkohore dhe zgjerim të mëtejshëm të gamës së egzaminimeve.

“Shëndetësia shqiptare është futur dhe po ecën drejt një reforme që si synim të saj ka dhe thellimin e diagnozës” , tha Vasili.

Sipas statistikave, pranë këtij shërbimi në QSUT janë rreth 100 raste që pritet të marrin shërbimin gjatë vitit. Ndërkohë, me instalimin e Gamma Kamera Spect në Qendrën e Mjekësisë Bërthamore, QSUT, është krijuar mundësia e kryerjes së gjithë ekzaminimeve shintigrafike për të gjitha organet përfshi dhe zemrën, ekzaminim që nuk realizohej më parë.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›