E Hënë, 2 Nëntor 2026

Tuneli i “Luftës së Ftohtë” në Gjirokastër, një nga destinacionet më të kërkuara nga turistët

Tuneli i “Luftës së Ftohtë” në qytetin e Gjirokastrës po kthehet në një nga pikat më tërheqëse për turistët vendas dhe të huaj që zgjedhin të vizitojnë këtë qytet me histori unike. I ndërtuar në fshehtësi të plotë gjatë viteve të diktaturës, tuneli është sot një dëshmi autentike e paranojës dhe izolimit të asaj kohe, që ngjall kureshtjen e vizitorëve nga mbarë bota.

Shumë prej tyre shprehin habinë dhe interesin për mënyrën sesi ishte konceptuar ky strehim nëntokësor.

“Më pëlqeu shumë ky tuneli i vjetër dhe qyteti sapo vizituam është mbresëlënës”, u shpreh një turiste.

“Vij nga Spanja, është hera ime e parë që vij së bashku me familjen time dhe tuneli ishte shumë interesant”, tha një turist tjetër.

Numri në rritje i turistëve, sipas ciceronëve, tregon  interesin gjithnjë e më të madh për trashëgiminë historike dhe për përvojat autentike që Gjirokastra ofron.

“Mund të them se kemi pasur shumë vizitor, si të huaj ashtu dhe vendas”, u shpreh ciceronia Elona Llano.

Tuneli i Luftës së Ftohtë mbetet jo vetëm një kujtim i një epoke të errët të vendit, por edhe një aset i çmuar për turizmin kulturor dhe historik ndërsa shton një dimension të veçantë në itinerarin e çdo vizitori.

Gazetar: E. Domeri

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›