Tunizi, Ben Ali dhe bashkëshortja marrin arratinë me “thesarin”
Detaje të reja janë bërë dje publike lidhur me arratisjen nga Tunizia të familjes së presidentit Zine El-Abidine Ben Ali. Sipas shërbimeve sekrete franceze, të cituar nga e përditshmja “Le Monde”, ish-zonja e parë tuniziane, Leila Trabelsi, u largua nga vendi duke marrë me vete një pjesë të “thesarit” të mbledhur ndër vite, afërsisht 1,5 tonë ar. E ngarkuar me kallëpet e arit, Trabelsi fillimisht është nisur për në Dubai dhe më pas është transferuar për në Geda, në Arabinë Saudite. Para rënies së regjimit, Zonja e Parë i është drejtuar Bankës Qendrore në Tunizi për të boshatisur arkën e sigurisë dhe kallëpet e arit. Fillimisht guvernatori ka refuzuar t’ia dorëzonte arin, por më pas është bindur me vetë kërkesën e presidentit Ben Ali. “Duket se gruaja e Ben Ali është larguar me arin,- ka shpjeguar një funksionar në Paris për të përditshmen franceze, - 1.5 tonë ari, të barazvlefshme me 45 milionë euro". Presidenti Ben Ali, nga ana e tij nuk e kishte menduar se dalja e tij nga skena do të ishte kaq e shpejtë. Në bazë të disa informacioneve nga Parisi, ish-lideri tunizian duket se ka regjistruar një mesazh për popullin, por që nuk pati kohë ta lexonte. Kjo nënkupton që Ben Ali nuk dëshironte vullnetarisht ta linte vendin, por ishin rrethanat ato që e shtynë, si dhe këshillat e bashkëpunëtorëve më të ngushtë. Që prej ditës së premte në vend mbizotëron kaosi dhe protestat, ku si pasojë kanë mbetur të vdekur dhjetëra persona.
Bashkimi Europian i ofroi ndihmë Tunizisë për procesin e demokratizimit dhe të zhvillimit ekonomik të vendit. Një zëdhënse e shefes së diplomacisë së BE-së, Kethrin Ashton, sqaroi në Bruksel se aktualisht po punohet në përgatitjen e një pakete me masat adekuate. Bashkimi Europian është po ashtu i gatshëm ta ndihmojë vendin afrikanoverior në organizimin e zgjedhjeve të planifikuara.
Kush është Leila Trabelsi
Leila Ben Ali, ose Leila Trabelsi ka lindur më 20 korrik të vitit 1957 dhe është gruaja e dytë e ish-presidentit tunizian, El-Zine Abidine Ali Ben, me të cilin ka tre fëmijë: Nesrine, Halima dhe Mohamed Zine El-Abidine. Martesa mes tyre u krye në vitin 1992. Ajo është presidente e Organizatës së Femrave Arabe (AËO) dhe kryetare e shoqatës “Basma”, një organizatë bamirëse që punon për të siguruar punë për të paaftët. Prej një periudhe të gjatë është angazhuar me punë humanitare. Në vitin 2000 u zgjodh "Personaliteti i Familjes në Botë”, ndërsa në 2003 u zgjodh “Njeriu i Vitit nga revista ruse “Bota e Gruas”, për aktivitetet e saj për të promovuar mirëqenien sociale dhe të drejtat e grave. Kohët e fundit, Zonja e parë ishte zgjedhur si një nga 50 personazhet arabe më me ndikim në botë nga Lindja e Mesme. Akuza të shumta janë ngritur për të dhe familjen e saj që pati një rritje të konsiderueshme ekonomike, pasi mendohej se gjithçka ishte e lidhur me korrupsionin dhe ndikimin e bashkëshortit të saj. Dy autorëë francezë shkruan një libër të gjerë me titull "La regente de Carthage" detajet e korrupsionit të Leilës dhe të familjes së saj. Sipas gazetës franceze “Le Monde” Leila Ben Ali simbolizon "lakminë" e familjes presidenciale. Gjatë protestave 2010-2011 në Tunizi, shkaku kryesor i pakënaqësive ishte pikërisht presidenti Ben Ali, familja Trabelsi si dhe niveli i ulët ekonomik.
Kryeministri Ghanouçi formon qeverinë e unitetit
Kryeministri i Tunizisë, Mohamed Ghanouçi, ka deklaruar se ministrat e mbrojtjes, ministri i jashtëm dhe ministri i brendshëm do të mbajnë postet e tyre në qeverinë e re të bashkimit kombëtar, të formuar pas largimit të presidentit Ben Ali. Anëtari i opozitës Najib Chebi është caktuar ministër i Zhvillimit Rajonal, por edhe anëtarëve të tjerë të opozitës, Ahmed Ibrahim dhe Mustafa ben Jafar iu dhanë poste ministrore.
Gjatë kohës që pritej të shpallej qeveria e re, një valë e re protestash shpërtheu në rrugët e kryeqytetit tunizian te Tunisit.
Policia përdori ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit, mbështetës të partisë së presidentit të larguar, por u dëgjuan edhe të shtëna sporadike me armë.
Fillon gara për postin e presidentit në Tunizi
Largimi i presidentit Zine El- Abidine Ben Ali nga Tunizia ka bërë që të fillojë gara për zënien e këtij posti të rëndësishëm. I pari që paralajmëroi kandidaturën e tij për zgjedhjet e ardhshme presidenciale ishte ish-kryetari i Lidhjes së Tunizisë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, Moncef Marzouki. 65-vjeçari drejton Partinë e Kongresit Republikan, e cila angazhohet për një shtet demokratik dhe ka qenë e ndaluar gjatë kohës së Ben Alisë. Nga ana tjetër me interesim të madh u prit dje shpallja e qeverisë kalimtare. Vendimi për krijimin e kësaj qeverie është marrë gjatë një takimi të partive opozitare me kryeministrin Mohamed Ghanouçi, i cili tha se krijimi i qeverisë kalimtare paraqet një moment historik për këtë vend. Partitë e afërta me qeverinë e deritanishme nuk do të jenë pjesë e saj, deklaroi Maya Jrbi, Sekretare e përgjitshme e Partisë Përparimtare Demokratike.
Raporti, Dik Marti refuzon të dalë para PE-së
Parlamentari zviceran Dik Marti ka refuzuar të përballet me deputetët në Komitetin e Politikës së Jashtme në Parlamentin Europian lidhur me raportin e tij për Kosovën, gjatë seancave të ditës së djeshme dhe të sotme. Në vend të kësaj është paralajmëruar që ai të flasë para Komitetit të Parlamentit Europian në një seancë tjetër në muajin shkurt. Prapa arsyetimeve të Martit që të mos e pranojë ftesën për debat me parlamentarët europianë këtë javë mendohet se qëndron përllogaritja që më 25 janar të zhvillohet debati në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, ku ai pretendon të marrë mbështetje për raportin.
Greqi
Sulmet në ambasada, nis gjyqi ndaj anarkistëve
Anëtarët e një grupi anarkist janë paraqitur dje përpara një gjykate në Greqi, pasi besohet se janë të përfshirë në një seri shpërthimesh që tronditën Athinën. 13 anëtarët midis moshës 19 dhe 30-vjeçare, akuzohen se i përkasin “një grupimi terrorist”. Katër prej tyre janë duke u gjykuar në mungesë. Nëntorin e shkuar, grupi anarkist “Bërthama e Zjarrit” pranoi autorësinë për dërgimin e pakove bombë në disa ambasada në Athinë si dhe në tre përfaqësi jashtë shtetit. Nëse shpallen fajtorë, të dënuarit rrezikojnë dënime 10-25 vjet.
Australi
Dëmtimet, kryeministrja paralajmëron hetim për përmbytjet
Kryeministrja e Australisë, Ana Blajt u ka kërkuar autoriteteve të vendit që të nisin një hetim mbi përmbytjet që kanë shkatërruar prej disa javësh shtetin e Kuinslendit. Drejtuesja e shtetit kontinental bëri me dije se në fokusin e hetimeve do të vendoset gjendja e digave dhe do të identifikojë pikat kyçe që kanë nevojë për investime në të ardhmen. Një ditë më parë, Ministri i Financave, Uejn Suan, deklaroi se kjo është katastrofa më e kushtueshme në historinë e Australisë. Një bilanc prej 13 miliard dollarësh dëme janë llogaritur deri tani.
ËikiLeaks
Posedon të dhëna bankare për 2 000 emra personalitetesh
Një ish-punonjës i një Banke Zvicerane i ka kaluar të dhëna rreth lëvizjeve financiare të 2 000 njerëzve të njohur themeluesit të Wikileaks, Zhulian Asanzh. Të dhënat, të cilat nuk janë ende të disponueshme në faqet e internetit, mbahen në dy disqe dhe u dorëzuan në një konferencë për shtyp në Londër prej bankierit të quajtur Rudolf Elmer. Asanzh premtoi se do të publikojë të dhënat sapo t’i ketë kontrolluar. Bankieri, i cili i ka dhënë të dhëna Wikileaks edhe më parë, u largua nga puna në vitin 2002. Llogaritë përfshijnë ato të 40 politikanëve dhe shumë llogarive sekrete që njerëz të rëndësishëm kanë hapur.
Egjipt
I vë flakën vetes përpara Parlamentit
Dy njerëz i kanë vënë zjarrin vetes dje në Egjipt dhe në Mauritani në shenjë proteste kundër standardit të ulët të jetesës. Raportet thonë se dy incidentet e ndara kanë ndodhur afër parlamentit të Egjiptit në Kairo dhe para pallatit presidencial në Mauritani. Aktet e djeshme i bënë jehonë vetëndezjes së një burri në Tunizi, i cili protestoi për papunësinë në vend. Veprimi i tij nxiti një valë protestash, që më në fund rrëzuan presidentin Zine al-Abidine Ben Ali pas 23 vjet pushteti. Dy ditë më parë, tre raste të ngjashme janë regjistruar në Algjeri.
18 Janar 2011