Rama: “Berisha të largohet, situata rrezikon të dalë jashtë kontrollit”
Eljona Ballhysa
Ndërsa e ka cilësuar të turpshme seancën e një nate më parë në Kuvend, kryesocialisti Edi Rama ka kërkuar dje largimin sa më parë të Berishës dhe të qeverisë së tij. Sipas Ramës, kryeministri aktual nuk po bën gjë tjetër veçse po provokon çdo ditë e më shumë popullin dhe, sipas tij, situata rrezikon të dalë jashtë kontrollit të politikës. Kjo ndodh, tha Rama, atëherë kur popullit i shkelet kushtetuta dhe i zhvlerësohen ligjet; atëherë populli merr në dorë fatet e veta. Kreu i PS-së tha se këto lëvizje i njeh shumë mirë historia. Ndaj ai kërkoi që Berisha të largohet sa më parë, pasi është kapur me presh në duar.
Thirrja
“Kjo qeveri e marrë fund duhet të largohet dhe ky i ashtuquajtur kryeministër që ka vjedhur votat, që drejton një qeveri kusarësh e matrapazësh me bllokun e pistë të plaçkitjeve në dorë, që del mendsh sa herë del përballë opozitës, duhet t’i japë zgjidhje politike një situate që rrezikon të dalë jashtë kontrollit të politikës, pavarësisht vullnetit tonë të palëkundur për të mbajtur aksionin tonë politik brenda kufijve të rolit tonë kushtetues”, - është shprehur Rama. Sipas tij, “populli ka një liri kushtetuese e të drejta historike që nuk i ka asnjë institucion e asnjë forcë politike. Ushtrimi i kësaj lirie e të drejte ndodh kur kushtetuta merret peng, ligjet zhvlerësohen, institucionet bien, ndërsa opozitës politike i ezaurohen mundësitë që përcaktohen prej rolit të saj kushtetues, pra kur sistemi politik del jashtë loje”. Ai tha se roli i opozitës është që të kërkojë zgjidhje politike, por atëherë ku zgjidhja nuk gjendet opozita “s’mund ta pengojë më popullin të marrë në dorë fatin e vet, kur ai që duhet të ishte kryeministri i vendit është kthyer në një kumbarë kusarish e matrapazllëqesh. Në vend se të pranojë me realizëm fundin e një koalicioni të turpëruar publikisht e të kërkoj zgjidhje politike, del siç doli mbrëmë duke kërcyer mbi kokat e deputetëve të opozitës e duke u hakërryer si i marrë busullhumbur”. Sipas Ramës, gjendja është e rëndë, ndërsa zgjidhja është e thjeshtë. “Koalicioni i turpit nuk mund të jetë më qeveria e shqiptarëve. Saliu duhet ta deklarojë të mbyllur aventurën e këtij koalicioni. Mbajtja në këmbë e këtij koalicioni nuk e zgjat shumë qëndrimin e kryeministrit në karrige, po vetëm i rrit vendit dhe shqiptarëve kostot e largimit të qeverisë”, - është shprehur Rama. Ai i bëri thirrje kryeministrit që të bëjë gati vendin për zgjedhjet e reja në mënyrë që t’i japë fund krizës politike në vend dhe të rikthejë normalitetin politik. “Prandaj Saliu duhet të nxitojë të japë zgjidhjen, duke pranuar zgjedhjet e reja e duke kërkuar zgjidhjen e duhur për të rikthyer politikën në parlament dhe normalitetin në procesin politik”,- është shprehur Rama.
SOM:
“Mbrëmë Shqipëria pa me zë e me figurë në sallën e Parlamentit të saj shëmbëlltyrën jetësore të vargjeve të Dritëro Agollit: ‘Në vendin tim, në vendin tënd, një kokë e çmendur të gjithë i çmend’”.
Apeli
Topi, thirrje deputetëve: “Riktheni demokracinë në Parlament!”
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, u ka bërë thirrje parlamentarëve t’u përgjigjen detyrimeve të tyre qytetare, politike e etike. I pyetur për debatet e ashpra dhe mungesën e etikës gjatë seancës së parë parlamentare për këtë vit, kreu i shtetit u ka bërë apel për rikthimin e dimensionit demokratik parlamentar. “Sigurisht që unë nuk dëshiroj të rikthehem për të komentuar një seancë të Parlamentit që në fakt është pjesë e një rituali tashmë të papranuar nga ndjeshmëria e qytetarit shqiptar. Edhe njëherë, me cilësinë e këtij pozicioni që kam, dëshiroj t’u bëj apel të gjithë parlamentarëve, pa përjashtim, pa i diferencuar ata, nëse janë të një krahu apo të një tjetri, por si përfaqësues të popullit, që të rikthejnë urgjentisht dimensionin demokratik parlamentar. Është mjaft i rëndësishëm dhe besoj ky dimension është i parë në një këndvështrim mjaft kompleks, së pari, si një detyrim qytetar. Së dyti, që është shumë i rëndësishëm, në planin etik të komunikimit, të diskutimit dhe mbi të gjitha, në planin e dimensionit të vendimmarrjes, që është një element i rëndësishëm civil, në radhë të parë kushtetues për fatet e Shqipërisë, për prosperitetin e këtij vendi”, - është shprehur Topi. Këtë deklaratë kreu i shtetit e bëri nga qyteti i Tepelenës, ku zhvilloi një vizitë pune. Ai madje i bëri thirrje dhe institucioneve kushtetuese që të zbatojnë me korrektësi Kushtetutën dhe ligjin.
“Unë edhe nga Tepelena. Do t’u bëja thirrje të gjitha institucioneve kushtetuese, që të rivendosen sa më shpejt në korrektësinë dhe në detyrimin që i dikton Kushtetuta, i dikton ligji, sepse sa më shumë të jenë ata në detyrën e tyre, sa më shumë të flasin ata me ligjin, aq më pak do të ketë mjedis për abuzime të karakterit politik dhe sa më shumë ata të jenë në detyrën e tyre, aq më shumë do të ketë qetësi për qytetarët”, - është shprehur Topi. Ndërsa lidhur me videon më të fundit të publikuar në media, presidenti Topi u shpreh se pozicionin e tij për këtë çështje e ka dhënë më parë nga qyteti i Pogradecit, por ritheksoi gjithashtu se “çdo institucion të bëjë detyrën e vet”.
Ngjela: “Berisha largohu, ke 4 ditë kohë”
Kreu i PLD-së, Spartak Ngjela, i ka bërë thirrje kryeministrit Berisha të dorëhiqet deri më 21 janar, datë ku Opozita e Bashkuar ka paralajmëruar një demonstratë për largimin e tij.
Në një konferencë për shtyp, Ngjela ka theksuar se kryeministri Berisha ka 4 ditë kohë për t’u dorëhequr, pasi më pas do të jetë populli ai që do të reagojë fort për largimin e tij.
Ngjela, duke u bërë thirrje qytetarëve të marrin pjesë në demonstratën e opozitës, theksoi se më 21 janar populli do të fitojë dinjitetin e mohuar. Gjithashtu, Ngjela, duke iu referuar edhe seancës së djeshme parlamentare, theksoi se kryeministri Berisha, nga kriza institucionale ka kaluar në krizë mendore. “Data 21 janar do të tregojë se ka opinion publik në Shqipëri që t’i përgjigjet abuzimit me pushtetin dhe marrëzisë së pushtetit. Fakti që di të vërtetën dhe e mbulon atë do të thotë që është i implikuar edhe ai në këtë aferë. Fakti që është i implikuar në këtë aferë, duhet të largohet një orë e më parë. Kjo është logjika aktuale, kjo do të jetë logjika e opinionit publik shqiptar. Me këtë ngarkesë do të vijnë qindra mijëra shqiptarë në datën 21, t’i japin fund kësaj çështjeje, ose ka katër ditë kohë të japë dorëheqjen. Në mënyrë që shqiptarëve t’u jepet përfundimisht e drejta të votojnë të lirë, të kenë prosperitet dhe perspektivë në vendin e tyre”, - është shprehur Ngjela.
19 Janar 2011