E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turi i dyte nisin ethet e Champions

Atmosfera nuk është aspak e mirë në kompleksin e “topçinjve” në Londër, pavarësisht se pragu i Champions Leagues është gjithnjë drithërues. Arsenali do të luajë në fushën e vet ndaj Bajernit ndeshjen e parë të turit të dytë, por me moral të ulët pas humbjes ndaj Blekbërnit në Kupën e Anglisë.
Skuadra e trajnerit Arsen Venger u vërshëllye gjatë nga mbi 60 000 tifozët, ndërsa praktikisht nuk fiton dot trofe as këtë sezon.
E eleminuar nga të dyja kupat angleze, tepër larg kreut në Premier Ligë, duket tepër e vështirë që kjo skuadër të zerë në befasi bavarezët e Jup Hajnkesit, që po kalojnë një formë të shkëlqyer.
Gjithsesi, trajneri Venger shprehet me besim se ekipi i tij mund t’ia dalë ndaj Bajernit.
Një provë të vështirë ka edhe Porto, ndonëse jo të përmasave të tilla. Përballë portugezëve, dy herë kampionë të Europës në vitet 1987 dhe 2004, do të jetë Malaga, një nga ekipet më në formë në Spanjë dhe në kontinent.
Trajneri Vitor Pereira pret një duel të madh dhe shpreson që skuadra e tij të përfitojë nga përvoja më e madhe në Champions. 
Me ndihmën e sulmuesve të tillë si kolumbianët Martinez apo Rodrigez, Porto ka shanse.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›