E Diel, 1 Nëntor 2026

Turistë francezë në Kolonjë, kulinaria tradicionale dhe natyra e paprekur joshin vizitorët

Në Kolonjë turistët nuk kanë mundësi vetëm të vizitojnë sitet turistike e ato të trashëgimisë kulturore por edhe të mësojnë të gatuajnë e më pas të shijojnë gatimet tradicionale.

Për turistët francezë, të cilët janë të shumtë në numër këtë vit, Shqipëria e Kolonja ofrojnë shumë, sidomos në turizmin e kulinarisë.

“Për ne ishte e mrekullueshme të mësonim të gatuanim lakrorin dhe shihnim gratë si përgatisin ushqimin. Ajo që më pëlqen më shumë nga Kolonja është ushqimi bio, pamja e paprekur e natyrës dhe mikpritja e njerëzve”

“Është hera e parë në Shqipëri, kemi bërë një tur në gjithë vendin. Jemi të mrekulluar nga mënyra sesi ju na trajtoni. Sajtet arkeologjike, natyra e sidomos ushqimi na ka kënaqur këto ditë. Mendoj se do rikthehemi përsëri”, thanë turistët.

Për guidën e turistëve francezë, këta të fundit gjithmonë e më tepër po preferojnë turizmin e gjelbër, e sidomos kur bashkëjetojnë me banorët që ata takojnë.

“Mahniten nga fakti se sa i gjelbër dhe sa e egër është akoma Shqipëria dhe ju bën përshtypje akoma sa organike dhe të shijshme janë ushqimet”, tha Klejdi Shtrembi, i guidës turistike

Mes natyrës së paprekur, traditës dhe shijeve autentike, Kolonja po kthehet në një destinacion që nuk vizitohet thjesht për t’u parë, por për t’u përjetuar. Turizmi i kulinarisë, i ndërthurur me mikpritjen dhe jetën e përditshme të banorëve, po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë të huaj, duke e bërë këtë zonë një nga perlat e turizmit të gjelbër në juglindje të Shqipërisë.

Gazetare: K. Koçi    

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›