Turistë të huaj në kalanë e Himarës: Panoramë mahnitëse, ua rekomandojmë edhe të tjerëve ta vizitojnë

TIRANË, 6 gusht/ATSH/ Kalaja e Himarës e cila të ofron një pamje të mrekullueshme nga zemra e rivierës shqiptare, vizitohet nga pushues të shumtë gjatë sezonit veror.
Turistë nga vende të ndryshme shprehen të mahnitur nga panorama që të ofron teksa vizitojnë Kalanë.
Një vajzë e lindur në Nju Jork, por me origjinë shqiptare shprehet se ka ardhur me bashkëshortin dhe miqtë e saj për të parë Kalanë e Himarës.
“Sapo vizituam Kalanë e Himarës. Është absolutisht e bukur. Dhe pamja panoramike e Himarës, mahnitëse. Na pëlqeu shumë. Pothuaj humbëm atje duke parë kishat dhe shtigjet e lezetshme me lule. Na pëlqeu shumë”, shprehet ajo.
Një tjetër çift vizitorësh të huaj, shprehen se kalaja është e bukur dhe se ua rekomandojnë edhe të tjerëve ta vizitojnë.
“Ky vend është shumë interesant, i bukur dhe i lashtë”, thotë një tjetër turiste ndërsa shëtit në mes mureve të vjetra të Kalasë së Himarës.
Kalaja e Himarës është një thesar i trashëgimisë kulturore. Në majën e kodrës mbi të cilën ajo ngrihet, takohet deti me historinë dhe shpirtin e banorëve të kësaj zone.
“Kur ecën përreth kalasë, kur ecën mes ledheve mund të admirosh peizazhin”, thotë një turiste nga Franca.
Panorama është mahnitëse dhe vizitorët që mbërrijnë deri aty për ta shijuar janë të shumtë dhe kalaja e Himarës i pret çdo ditë me dyert hapur dhe shpirtin e saj të lashtë.
Vizitorët, vendas e të huaj, enden rrugicave me gurë duke zbuluar kisha e shtëpi të vjetra të cilat dikur gjallonin. Kalaja e Himarës është ndërtuar nga kaonët. Ajo ishte një fortesë e fuqishme nëpër shekuj që ka parë pushtime romake, bizantine dhe osmane, por gjithmonë ka qëndruar kryelartë.
/a.f/