Turistët çekë pas sporteve të aventurës, packrafting dhe kamping në lumin Shkumbin

Turistë nga Republika Çeke kanë zgjedhur këtë sezon të eksplorojnë natyrën shqiptare përmes një aventure me “packrafting” në lumin Shkumbin. Të apasionuar pas sporteve në natyrë dhe udhëtimeve eksploruese, ata po përshkojnë segmente të ndryshme të lumit, ndërsa kombinojnë aventurën me kampingun dhe vizitat në zonat malore.
Grupi tregon se Shqipëria është kthyer prej vitesh në një nga destinacionet e tyre të preferuara për turizmin aventurier.
“Do të qëndrojmë rreth 10 ditë në Shqipëri dhe më pas katër ditë në Maqedoninë e Veriut. Këtu po bëjmë pak rafting në segmente deri në 20 km. Pas reshjeve niveli i ujit është rritur dhe për këtë arsye nuk do të vazhdojmë më tej sepse zona është e vështirë dhe ka shumë gurë. Kam vizituar edhe lumenj e zona të tjera në Shqipëri”, u shpreh një nga turistët.
Të mahnitur nga peizazhet natyrore, lumenjtë dhe mikpritja shqiptare, turistët çekë shprehen se dëshirojnë të rikthehen sërish për të zbuluar vende të tjera të Shqipërisë.
Sipas tyre, natyra e paprekur, ushqimi tradicional dhe mundësitë për aktivitete në natyrë e bëjnë Shqipërinë një destinacion të veçantë për pushime gjatë gjithë vitit.