E Diel, 1 Nëntor 2026

Turistët e huaj zgjedhin Thethin në shtator


TIRANË, 20 shtator/ATSH/ Thethi vijon të tërheqë turistë edhe në muajin shtator, teksa vizitorë vendas dhe të huaj shijojnë natyrën e Alpeve dhe ujërat e ftohta të lumit të Thethit.

Edhe pse temperaturat kanë nisur të ulen me ardhjen e vjeshtës, turistë të shumtë zgjedhin të lahen në ujërat e lumit, duke shijuar një nga përvojat karakteristike të natyrës së Thethit.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja ndau sot pamje të Thethit të mbushur me turistë në muajin shtator.

I rrethuar nga majat e Alpeve Shqiptare, Thethi mbetet një nga destinacionet më të preferuara për turizmin e natyrës, ndërsa muaji shtator ofron një tjetër atmosferë për vizitorët, me peizazhe që nisin të marrin ngjyrat e vjeshtës.

Lumi i Thethit, shtigjet malore, ujëvarat dhe peizazhi i luginës vijojnë të jenë ndër atraksionet kryesore për turistët që zgjedhin të vizitojnë këtë zonë edhe pas sezonit të verës.

/m.m/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›