E Diel, 1 Nëntor 2026

Turistët në Shqiperi? Nikoll Lesi: Edhe mua më listuan si të tillë kur u erdha nga Moska

Intervistë me zv/ministrin e turizmit, Nikoll Lesi: Si i shoh ministrat e rinj dhe këshillat për Ramën. Kujdes sherret në parlament, se tenderat ngushtuan edhe dyert.

Pas pak ditësh largoheni si zv/ministër i Turizmit. Çfarë ka bërë qeveria në ikje në këtë fushë?
Më mirë po them se çfarë nuk është bërë, në mënyrë që t'i shërbejë qeverisë së re dhe veçanërisht ministrisë përkatëse, ndonëse e ndryshuar në strukturë, siç e deklaroi kryeministri në ardhje, zoti Rama. E para, duhet riparë ligji për Turizmin, pasi ka nevojë për t'iu përshtatur strategjisë së qeverisë së re, ndonëse projektligji i cili ndodhet diku në sirtarët e Kryeministrisë ka disa vjet që është rishqyrtuar për t'u kthyer në ligj, dhe duke u vonuar kaq shumë ka bërë që në fuqi të jetë për disa vite një ligj aspak funksional. Pra siç kam folur edhe më parë, e jo sot që po ikim si qeveri, Ministria e Turizmit është pa kompetenca. E dyta, nuk duhet kurrsesi që kryeministri Rama ta shpërdorojë emrin dhe dinjitetin e zv/ministrit, aq sa u bë barsoletë në kohën e Berishës se "më shpejt të bëjnë zv/ministër sesa drejtor në një rreth!". E kam fjalën se, nuk duhen kurrsesi kaq shumë zv/ministra në një ministri. Ne ishim katër dhe kudo kishte nëpër ministri të tjera tre ose katër zv/ministra. Më shumë se dy zv/ministra nuk ka asnjë arsye t'i bëjë zoti Rama, gjithnjë nëse do që të punojë e jo të punësojë njerëz apo politikanë. Unë për vete e kam kundërshtuar në media publikisht këtë metodë pune të kryeministrit, ashtu sikurse kam kërkuar me insistim që qeveria kishte nevojë për ndryshime drastike ministrash, zv/ministrash e drejtorësh të përgjithshëm, gjë që nuk u bë e që ishte një nga arsyet për rezultatin elektoral që u arrit. Bile kishte të dhëna të mjaftueshme për shkarkime e arrestime edhe të disa ministrave. E treta, ka nevojë të përcaktohet më mirë fjala "turist", ndonëse dihet, por spekulohet shumë për të rritur në mënyrë fiktive numrin e turistëve në Shqipëri e gjoja për të thënë se kemi bërë namin. Edhe emigrantët që kthehen për të parë prindërit e tyre apo për ndonjë punë i fusin si turistë (!), edhe zyrtarët që hyjnë në kufi për punë zyrtare regjistrohen si turistë. Bile njëherë edhe mua kur po kthehesha nga Moska në krye të një delegacioni zyrtar më futën tek lista e turistëve që vizitojnë Shqipërinë! Pra me pak fjalë, ka nevojë për një rregull tjetër kufitar e ministror në përcaktimin dhe numërimin e turistëve. E katërta dhe më kryesorja mbetet pastrimi i bregdetit nga ndërtimet pa leje, e jo vetëm në bregdet, pasi ka pika turistike malore të shkëlqyera, por janë denigruar nga plane turistike rajonale e komunale e ku jepen edhe leje pa asnjë lidhje me strategjinë turistike në këto zona. Uroj për nismën e tij zotin Rama, për ta pastruar bregdetin nga ndërtimet pa leje, por mbetet të shikojmë sa dhe si do ta realizojë në praktikë. E kur bëhet fjalë për pastrimin, duhet domosdoshmërisht të disiplinohet dhe të kryhet përpunimi i ujërave të zeza dhe të marrë fund njëherë e përgjithmonë derdhja e tyre në det apo në liqene. E pesta, mendoj se duhet përcaktuar një raport i saktë mes strategjisë për një turizëm popullor dhe atij elitar. E gjashta, duhet konsideruar ndërtimi i një aeroporti të ri, duke i hequr monopolin kompanisë në Rinas që lejon vetëm një aeroport, kur ka nevojë për një aeroport në jug ku turistët të vijnë direkt e në zonën e jugut. E shtata, duhet standardizuar mënyra e dhënies së yjeve për hotelet, restorantet etj., në fushën e turizmit, pasi ndonëse ka filluar shumë vonë, ka nevojë që yjet të mos mbahen nëpër xhepa e të jepen sipas shijes së drekës që iu serviret kur shkojnë për t'i kontrolluar! Ka edhe disa të tjera, por ministrja e re mendoj se do të ketë dëshirë edhe për të dëgjuar jo vetëm të sajtë që do të emërojë, porse edhe specialistët e opozitës së ardhshme të pas 9 shtatorit, gjë që nuk u bë nga qeveria jonë në ikje me specialistët e opozitës, pra të PS-së. Turizmi është industri kombëtare dhe më e rëndësishmja e fitimprurëse.
Po si kryetar i LDK-së, do të jeni në opozitë apo në pozitë?
Është përcaktuar me votë se kam kaluar në opozitë si LDK. Por marrëveshja me PD-në e zotit Berisha ka mbaruar e jo vetëm se ai dha dorëheqjen e ka një lider të ri në selinë blu, porse edhe nëse do të vazhdonte, marrëveshja quhej e mbyllur, pasi ai prishi edhe disa rregulla bashkëpunimi ndër aleatët, duke futur në listë disa kryetarë partish e duke lënë jashtë të tjerë, bile edhe duke na përlarë votat, ndonëse duhej të na i mbronte. Nuk po flas më tepër në lidhje me këtë, pasi kam folur publikisht pas humbjes, bile edhe më fort sesa sot. Pra me pak fjalë, politikisht si forcë politike gjendem në opozitë, porse për të vazhduar ka nevojë për disa kushte, që do t'ia paraqes liderit të ri të PD-së, zotit Basha. Por janë në lojë edhe disa variante, ku po diskutohet përbashkimi demokristian e që vërtet nuk ka nevojë për kaq shumë parti demokristiane, ndonëse një është pak dhe dy janë shumë! Nëse ka gjasa të sinqerta për përbashkim e drejtim, e që duhen verifikuar, atëherë ka shumë mundësi që të shkojë në përbashkim e më pas të vendosim për qëndrimin që do mbahet.
Përveç politikës, unë jam dhe njeri i medias, dhe aktualisht kam disa projekte që më presin në këtë fushë. Do të preferoja të kontribuoja në njërën nga mediat publike në qoftë se do të arrihet në një kompromis mes palëve pozitë-opozitë. Me dëshirën dhe vullnetin që kam për të punuar në fushën e medias, jam i bindur se është e mundur që mediat publike, e cila mbahet nga taksapaguesit shqiptarë, të ruajnë balancën ndërmjet pozitës dhe opozitës dhe të bëhen atraktive për publikun më shumë se mediat private, të cilat, sidomos këto vitet e fundit janë shfaqur shumë të politizuara si majtas apo djathtas, sipas interesave të pronarëve të tyre. Bile nëse duan sinqerisht, gjë e cila do të shikohet në praktikë deri në dhjetor të këtij viti, ata, pra Rama e Meta, por edhe Basha, mund të bien dakord se ka nevojë që Radiotelevizioni publik t'i kthehet publikut, pasi jo është detyrim kushtetues, porse nxit edhe më shumë konkurrencën në median private, duke i bërë që të jenë më pranë njerëzve sesa politikës. Nëse nuk manifestojnë shenja publike për këtë ndryshim, atëherë jam i lirë të bëj një media private me gazetë e televizion me kurajën e dikurshme, por edhe me sulme dixhitale të kohës së sotme në mbrojtje të interesave të publikut. Të mos harrojmë se drejtori i përgjithshëm i RTSH-së zgjidhet nga 2/3 e 11 anëtarëve të Këshillit Drejtues, i cili përbëhet 6 nga pozita dhe 5 nga opozita.
Si zv/ministër i Turizmit dhe Kulturës, a keni dijeni mbi truallin (pjesë e trashëgimisë kulturore) për të cilin po sulmohet familja e Presidentit ditët e fundit?
Po ju them në mënyrën time të kahershme e të përhershme se nuk jam kompleksuar fare nga emrat President, kryeministër, kryeprokuror apo kryetar i SHIK-ut, bile me këto poste kam luftuar në kohë të ndryshme dhe kam fituar. Ndaj dua të them se edhe në rastin "Nishani" nuk ndjej asnjë kompleks, por për të qenë realist mund të them se si zv/ministër në Turizëm e Kulturë, asnjë rast nuk ka pasur kërkesë nga kjo familje, pra nga linja familjare e zonjës Odeta Nishani, për të futur duart në këtë pjesë toke që kanë familjarët e saj, pasi është zonë e mbrojtur me ligj. Edhe mund ta kishin bërë, pasi ka plot shkelje që janë bërë në këto vite e në shumë vite nga ministra apo zyrtarë të tjerë të lartë, të cilët duhej të kishin përfunduar në burg. Ka qenë ministër zoti Nishani dhe ka pasur në dorë shumë gjëra - edhe për këtë rast familjar - dhe mund ta kishte bërë, natyrisht duke shkelur ligjin siç e shkelin disa të tjerë, porse nuk e ka bërë. Për mua zoti Nishani mbetet një ndër ministrat më korrektë në zbatimin e ligjit në kohën që ka qenë disa vite. Në rastin konkret, nuk e ka bërë se e ka ditur se i del era apo se nuk ka dashur të shkelë ligjin, këtë nuk e di ta them, porse unë i referohem faktit se nuk ka bërë shkelje, pra nuk e ka tjetërsuar, pasi është monument kulture që mbrohet nga shteti. Atë vend në qendër të Tiranës nuk mund ta tjetërsojnë jo vetëm zoti Nishani, por as Rama me Berishën bashkë apo të tre, Nishani, Rama Basha, po të bashkohen nuk mund ta bëjnë dot. Kështu që, për mua mbetet një zhurmë e sajuar e që dyshoj se duan të dalin tjetërkund. Problemi i zotit President mendoj se mbetet raporti që do ketë me kryeministrin e ri dhe kryeministrin në ikje, gjë e cila ka nevojë të shikohet në muajt në vazhdim.
Si e gjykoni kryeministrin Rama në 100-shin e tij të parë?
Jam kundër 100-shit të kujtdo qoftë kryeministër. Zoti Rama duhet lënë nga opozita për një ose dy vjet pa sherre e protesta bllokuese, pasi ka gjithë kohën e nevojshme të bindë njerëzit se do ta zbatojë ose jo programin që pritet t'u paraqesë shqiptarëve më datë 9 shtator në parlament, pasi deri tani kemi mësuar vetëm strukturën e qeverisë. Natyrisht që opozita që ditën e parë ka rolin e saj opozitar, porse e kam fjalën të mos zbatohen ato plane të një opozite të vjetër të PD-së, të pas vitit 1997.
Cilët ministra shikoni si më të mirët në qeverinë e re?
Shpresoj të mos jem subjektiv, porse nga LSI-ja vlerësoj Edmond Haxhinaston dhe Nasip Naçon, e nga PS-ja, të rinjtë që mund të bëjnë epokë të re, si Ditmir Bushati, Damian Gjiknuri, Erion Veliaj e ndonjë tjetër.
Po për cilësinë e parlamentit të ri çfarë mendimi keni?
Pak me humor, por i rekomandoj kryetarit të ri të parlamentit, zotit Meta, që para çdo seance parlamentare të urdhëroj kontrollin e çdo deputeti në mënyrë të kujdesshme, si dhe sallën, pasi nga ndonjë zënkë, që nuk do të jenë të rralla këtë herë, e nga rrahjet, mund të nxjerrin edhe pistoletat disa deputetë! Kaq cilësor është këtë herë parlamenti nga të dy krahët! Edhe dyert e daljes, po kërciti sherri, janë ngushtuar nga tenderimet e këtyre viteve edhe në sallën e Kuvendit e nuk merr më shumë se një deputet, e jo si dikur kur mund të dilnin me vrap tre ose katër deputetë njëherësh nga dera e sallës.
Si do të jetë opozita e re?
Zoti Basha është një politikan perëndimor dhe nuk mendoj të jetë për politika bllokuese, por ka mundësi ta ketë të vështirë me gjithë ata kundërshtarë në PD, të cilët do të mundohen ta zhbëjnë dhe të humbasë në zgjedhjet e radhës, duke i kërkuar dorëheqje. Unë mendoj se edhe nëse humbet, gjë që nuk i dihet se është ende herët, PD nuk ka arsye të shkojë drejt vendosjes në statut se, kush humbet, ikën nga kryetar, të paktën për 8 vite, pasi kështu shkërmoqet PD-ja dhe lufta e klaneve, e cila ende nuk ka plasur në publik, por do të jetë e egër. Berisha i zotëronte dhe asnjë nuk guxonte as të merrte frymë nëse ai e shikonte shtrembër. Basha është tjetërsoj politikani.
Po mazhoranca?
Për sa kohë që do të jetë në harmoni dyshja Rama-Meta, nuk ka rrëzim të qeverisë. Rama ka shansin të hyjë në histori si burrë shteti, por të shohim. Do kohë dhe vendime të vështira një politikan për t'u bërë burrë shteti. 

(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›