Turistët vërshojnë Strugën dhe Ohrin

Restorantet dhe lokalet e Strugës dhe Ohrit janë mbushur sot përplot me pushues nga qytete të ndryshme të Maqedonisë, pasi aty sot kremtohet festa e Ilindenit. Për pushuesit ditët e festës janë akoma më argëtuese, kur ato lidhen edhe me fundjavë, gjë që e bën edhe më atraktive ditët e qëndrimit pranë plazheve të liqenit të Ohrit.
“Ja siç e shikoni, a ka diçka më të bukur se këtu në të mrekullueshmin Drin, nuk ka gjëkundi më bukur. Asgjë e veçantë, por po e shijojmë”, i tha televizionit Alsat një pushues.
“Sot kam ardhur me pushim në rastin e ditës së Ilindenit të pushojmë pak në Strugë. Do të qëndrojmë deri ditën e diel. Erdhëm pak në plazh për tu flladitur, ditë e nxehtë është sot”, tha një tjetër.
Fluksin e qytetarëve nga vendet e ndryshme të Maqedonisë, por edhe nga fqinjësia, e evidentojnë edhe pronarët e restoranteve.
“Kemi mysafirë dhe presim akoma në një numër më të madh, sepse edhe sezoni vazhdon”, tha një hotelier nga Struga, qytet ky që ofron kushte për të gjithë pushuesit, me lokale dhe restorante buzë liqenit e deri tek ato më të qeta në zonat malore./Indeksonline/