Turisti italian Silverio Stifanelli: Gjeta gatishmëri dhe profesionalizëm në spitalin rajonal “Memorial”

TIRANË, 9 shtator/ATSH/ Turistët e huaj që zgjodhën vendin tonë për të kaluar pushimet verore dhe që u përballën me problematika shëndetësore kanë gjetur shërbim cilësor në qendrat shëndetësore verore apo spitalet më të afërta.
Ky është rasti i turistit italian Silverio Stifanelli nga Leçe i cili pas një problemi me këmbën, u dërgua në Spitalin Rajonal Memorial të Fierit dhe aty u shërbye nga një staf mjekësh profesionistë dhe të sjellshëm.
Në mesazhin e turistit italian që u përcoll në rrjetet sociale nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, ai falënderoi ekipin e mjekëve në Spitalin Rajonal Memorial të Fierit, për profesionalizimin dhe përkushtimin e treguar gjatë marrjes së shërbimit në këtë spital.
Stifanelli tregoi se erdhi në Shqipëri për të takuar disa miq të tij, por u përball me një problem të këmbës, që ndryshe njihet si “përgjumje”.
“Dua të them që gjithçka që gjeta këtu më surprizoi. Personeli fantastik, mjekët tepër të përpiktë, dhe profesionistë. Çdo fjalë më shumë do ishte e tepërt! Gatishmërinë dhe profesionalizimin që gjeta këtu, nuk e kam gjetur as në Itali. Shpresoj që të vazhdoj kështu ky interes për pacientët sepse nëse vazhdon do të jetë shumë mirë”, thotë ai.
Ministrja Koçiu nga ana e saj u shpreh se ministria që drejton e ka prioritet sezonin turistik të sigurtë dhe me kujdes shëndetësor pranë qytetarëve.
Për këtë arsye, MSHMS ngriti në nisje të sezonit 36 qendra shëndetësore verore në të gjithë vendin, nga bregdeti e deri në zonat malore.
Mbi 68 108 persona morën shërbim në pikat verore, ku 1 në 3 ishte pushues i huaj.
Spitali Rajonal Memorial Fier funksionon me modelin e vetëadministrimit dhe është qendër e mirëfilltë ekselence që i shërben të gjithë rajonit të Jugut, qarkut Fier, Vlorë dhe Gjirokastër.
Me 19 departamente, 6 salla ndërhyrje kirurgjikale, pajisjet e fjalës së fundit, staf i specializuar, Spitali Rajonal Memorial i Fierit ofron shërbimin e urgjencës, kirurgjisë, neurokirurgjisë, kirurgjisë kardiovaskulare, mjekësisë interne, kardiologjisë, neurologjisë, sëmundjeve infektive, pneumologjisë, shërbimin e ortopedisë dhe traumatologjisë.
/e.i/j.p/