‘Turizmi i lindjes’- Ambasada amerikane në Tiranë paralajmëron: Përdorimi i vizës turistike për të lindur në SHBA është i ndaluar, rrezikoni refuzimin e vizës

Ambasada Amerikane në Tiranë lëshoi të mërkurën një paralajmërim të qartë për qytetarët shqiptarë: përdorimi i vizës turistike (B-2) me qëllim parësor lindjen e një fëmije në Shtetet e Bashkuara, për t’i siguruar atij shtetësinë amerikane, nuk lejohet dhe do të konsiderohet abuzim i qëllimit të vizës.
Në një postim të ambasadës theksohet se “përdorimi i vizës turistike për të udhëtuar kryesisht me qëllimin për të lindur në Shtetet e Bashkuara dhe për të siguruar shtetësinë për fëmijën tuaj nuk lejohet dhe mund të çojë në refuzimin e vizës.”
Oficerët konsullorë të SHBA-së do të refuzojnë aplikimet për vizë turistike nëse dyshojnë se qëllimi kryesor i udhëtimit është i lidhur me “turizmin e lindjes”. Ky fenomen, i cili synon shfrytëzimin e ligjeve të shtetësisë, është shprehimisht i ndaluar.
Viza turistike është e destinuar vetëm për vizita të përkohshme, si pushime, turizëm ose vizita familjare. Individët që kapen duke tentuar të përdorin vizën turistike për këtë qëllim, rrezikojnë jo vetëm refuzimin e menjëhershëm të vizës, por edhe një ndikim negativ afatgjatë në aplikimet e tyre të ardhshme për viza drejt Shteteve të Bashkuara.
/rtsh.al/