Turizmi rriti konsumin e brendshëm/ “Bum” edhe për eksportet e fruta-perimeve “Made in Albania”

2023-shi, i cilësuar si viti i artë për turizmin në Shqipëri solli dhe një rritje të konsumit të brendshëm. Sipas zëvendësministrit të Bujqësisë, Arian Jaupllari, kërkesa për produktet ushqimore jo vetëm u përballua me sukses nga prodhimi vendas, por turizmi ka ndikuar direkt në ekonominë shqiptare dhe rrjedhimisht dhe në rritjen e eksporteve “Made in Albania” krahasuar me vitin e kaluar.
“Po të marrim një tregues të konsumit të produkteve dhe ta krahasojmë me vitin e kaluar ka një konsum më të madh “Made in Albania”, sidomos të perimeve të stinës, po të përmendim këtu dhe rritjen shumë të madhe eksporteve të fruta-perimeve. Kemi një rritje të eksporteve në muajin nëntor në 18% në vlerë dhe 15 % në sasi, tregues këto që tregojnë se një pjesë e produkteve shqiptare janë konsumuar nga turistët. Edhe pse nuk ka një tregues të të saktë të matshëm, na gëzon fakti që produktet shqiptare janë konsumuar nga turistët si një mundësi për të turizëm të qëndrueshëm në vazhdim. Kulinaria e veçantë shqiptare kërkon ruajtjen e standardeve dhe sigurisë ushqimore”, u shpreh Jaupllari.
Për RTSH, zëvendësministri i Bujqësisë tregoi dhe ambicien për përmbylljen përfundimtare të përafrimit me legjislacionin e BE-së në lidhje me sigurinë ushqimore.
“Kapitulli i sigurisë ushqimore është kapitulli më i vështirë, këtë gjë e di dhe Brukseli, pasi bëhet fjalë për të qenit në një treg të përbashkët. Dhe në një treg të përbashkët nuk mund të konsumojmë ato produkte që kanë mbetje apo pasoja në shëndetin e konsumatorit. Para 2026 ne kemi menduar të përfundojmë përafrimin me legjislacionin e BE-së sepse është një proces që do matet se sa jemi ne në gjendje të arrijmë standardet ushqimore të BE-së”, theksoi Jaupllari.
Sipas shifrave të Ministrisë së Bujqësisë, për herë të parë sipërmarrja shqiptare në 8-mujorin e 2023, rriti me 17,3 % konsumin e brendshëm, që në shifër përfaqëson 650 milionë dollarë të konsumit të brendshëm.
Gazetare: Jonela Sakajeva
/rtsh.al/