Turizmi rural, një mundësi e re për Gjirokastrën

Natyra e paprekur, traditat e ruajtura, ndër breza dhe mënyra autentike e jetesës së banorëve po i kthehen gjithnjë më shumë zonat rurale të qarkut Gjirokastër në një destinacion tërheqës për vizitorët vendas dhe të huaj.
“Ka një interes të madh për parkun natyror të Zagories ku vizitorët shtohen dita ditës. Gjithashtu zona e Dropullit ka pasur interes për shkak të promovimit që zhvilluar në këtë zonë. Gjithashtu zonat e kanioneve të Nivicës, Këlcyrës, është pikërisht autenticiteti. Natyra e larmishme ë gastronomia e këtyre zonave e cila vjen fillon nga toka dhe shtrohet në tryezën e tyre”, shprehet operatori i turizmit, Joan Dhandili.
Turizmi po krijon mundësi të reja ekonomike për banorët duke nxitur aktivitetet e bizneseve familjare.
“Fshatarët kanë filluar t’i kthejnë në bujtina shtëpitë e tyre. Kjo është një gjë e mirë sepse i ndihmon shumë në zhvillimin ekonomik dhe shitjen e produkteve të tyre bio. Kjo natyrisht do ketë një impakt ekonomik në ato zona duke i dhënë gjallëri dhe duke rritur investimet në ato zona ku dikur kanë qenë kanë qenë të vështira për t’u arritur”, shpjegon Dhandili.
Përtej përfitimeve ekonomike, zhvillimi i turizmit rural po jep një vlerë të re trashëgimisë dhe identitetit të këtyre zonave.
Ajo që për banorët ka qenë prej vitesh pjesë e përditshmërisë, për vizitorët po shndërrohet në një përvojë unike për t’u zbuluar dhe pikërisht kjo ndërthurje mes natyrës, traditës dhe mikpritjes po e bën Gjirokastrën rurale gjithnjë më të kërkuar në hartën turistike të vendit.
Gazetare: L. Koçi
/rtsh.al/