E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turqi, protestë kundër genocidit ndaj çamëve

Shoqata kërkon që masakra e bërë ndaj shqiptarëve të Çamërisë të njihet nga të gjitha vendet e botës, në veçanti nga vendet demokratike dhe Greqia të zbatojë parimet që ka nënshkruar edhe vetë dhe të plotësojë kërkesat e shqiptarëve të Çamërisë. 

STAMBOLL- Shoqata “Vëllazëria Turko-Shqiptare” ka organizuar një protestë para Konsullatës Greke në Stamboll më qëllim përkujtimin e gjenocidit çam dhe viktimat e masakrave greke. Në kuadër të protestës së zhvilluar rreth orës 14:00 të ditës së djeshme protestuesit kanë vendosur një Kurorë të zezë para konsullatës greke në Stamboll.

Në këtë tubim morën pjesë qytetarë turq me origjinë came , studentë shqipatrë dhe përfaqësues të Organizatave të Shoqërisë Civile, gazetarë dhe qytetarë që i janë bashkuar kauzës se dënimit të aktit që shteti grek ka bërë kundër shqiptarëve të Çamërisë, 65 vite më parë.

Përmes një komunikatë për shtyp, sekretari i përgjithshëm i shoqatës Vëllazëria Turko-Shqiptare, Kamil Bitish kërkon që masakra që u është bërë shqiptarëve të Çamërisë të njihet nga të gjitha vendet e botës, në veçanti nga vendet demokratike dhe Greqia të zbatojë parimet që ka nënshkruar edhe vet dhe të plotësojë kërkesat e shqiptarëve të Çamërisë.
Kërkesat e Shqiptarëve të Çamërisë:
1.Të lejohet rikthimi i shqiptarëve të Çamërisë që janë dëbuar nga Greqia në vendin e tyre,
2. Tu rikthehen tokat dhe pasuritë e mallrat e tjera që ju janë marrë nga Shteti Grek,
3. Të dëmshpërblehen për shfrytëzimin e përdorimin e pasurive të tyre për vite të tëra nga grekët,
4.Të drejtat që u njihen qytetarëve të BE, të drejta këto që i ka pranuar dhe nënshkruar edhe vet Greqia, si një vend anëtar i Bashkimit Evropian, tu njihen nga Greqia edhe shqiptarëve të Çamërisë.
(e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›