E Diel, 1 Nëntor 2026

Turqia akuzoi edhe Obamën për shtrembërim të historisë

Obama: Historia armene ishte një dëshmi e triumfit mbi ata që u përpoqën ta shkatërrojnë si komb.

Nga Sulejman Gashi

Vitin e kaluar diplomacia e Turqisë shprehu shqetësimin e saj pas miratimit e një rezolute nga Komisioni për Politikë të Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan me të cilën vrasjet nga ana e turqve osmanë të rreth 1.5 milionë armenëve gjatë dhe pas Luftës së Parë Botërore u quajtën një gjenocid. Grupe të ndryshme armeno-amerikane e përshëndetën rezolutën e cila megjithatë nuk kishte një fuqi ligjore, ndërsa Turqia e hodhi poshtë, dhe me një përpjekje ta ndryshojë historinë, e quajti numrin e të vrarëve të egzagjeruar dhe masakrën mbi armenët një luftë civile. Dhe siç bëhet zakonisht në raste të tilla, pas miratimit të rezolutës, Turqia e tërhoqi përkohësisht edhe ambasadorin e vet në Washington. Edhe kundërshtarët e rezolutës këtu në Amerikë shfaqën qëndrimin se ajo dëmtonte marrëdhëniet me një aleat në NATO si dhe interesat amerikane në Lindjen e Mesme dhe në Evropë.

Kongresistët që votuan për dënimin e masakrës thonin se SHBA duhet të mbanin një qëndrim moral kundër krimeve të historisë dhe se rezoluta nuk ishte kundër popullit dhe qeverisë së sotme turke, por ishte një denoncim i gjenocidit të kryer nga Perandoria Osmane.

Diplomacia e Turqisë ka reaguar edhe në prill të këtij viti ndaj një deklarate të presidentit Barack Obama i cili në përvjetorin famkeq i bëri disa komente në shenjë nderimi për viktimat dhe masakrën mbi armenët. Ministria e Jashtme e Turqisë i cilësoi komentet e presidentit amerikan si të njëanëshme dhe shtrembërim të historisë. Presidenti Obama, ndonëse nuk e përmendi fjalën gjenocid, tha se historia armene ishte një dëshmi e triumfit mbi ata që u përpoqën ta shkatërrojnë si komb.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›