Deklaratat qesharake të Tiranës zyrtare
Shqipëria, si asnjë vend tjetër që nuk bën pjesë në fuqitë e mëdha, kohët e fundit është duke reaguar për çdo zhvillim ndërkombëtar.
Pasi përshëndetën marrjen e Tripolit nga rebelët, ndërsa më parë kërkuan largimin e Asadit, qeveritarët shqiptarë kanë reaguar edhe mbi aktet terroriste të ndodhura pasditen e djeshme në Nigeri, ku humbën jetën rreth 16 persona.
Ministria e Jashtme tha se ngjarja tragjike në Abuja të Nigerisë është tregues i qartë se terrorizmi dhe lufta kundër tij mbeten një sfidë e komunitetit ndërkombëtar dhe e Shqipërisë, si pjesë e koalicionit.
Me këtë rast, duke shprehur vlerësimin më të thellë ndaj atyre, të cilët sakrifikojnë jetën në shërbim të njerëzve në nevojë, shprehim solidaritetin me ta dhe njëherazi shprehim ngushëllimet më të sinqerta për familjarët e viktimave dhe të lënduarve, theksoi Ministria e Jashtme.
Republika e Shqipërisë do të vazhdojë të jetë pjesë aktive e organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe promovimit të vlerave mbi të cilat organizata është themeluar, në shërbim të paqes, sigurisë, e zhvillimit kudo në botë.
Këto deklarata duken qesharake, duke qenë se bëhen nga një vend pa asnjë peshë në politikën ndërkombëtare.
Se sa të merren me zhvillimet në Libi, Siri apo Nigeri, qeveritarët tanë ndoshta do të bënin mirë që të reagonin për zhvillimet e fundit në vend, ku minatorët kanë një muaj që kërkojnë të drejtat e tyre, krimi ka marrë përmasa të frikshme, ndërsa qytetarët po përballen përditë me rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe karburanteve.