Turqia dhe operacionet ushtarake në vendet e huaja
Janë dashur disa goditje mortajash në një lokalitet të kufirit mes dy vendeve që vëmendja të zhvendoset nga viktimat e pafajshme siriane tek një luftë e mundshme mes dy vendeve. Në fakt vetëm disa ditë më parë kishte ndodhur një episod i ngjashëm ku kishin mbetur të vdekur pesë civilë. Natyrisht ushtria turke është kundërpërgjigjur menjëherë dhe vazhdon ta bëjë këtë për sa herë që nga territori sirian vijnë predha të artilerisë. Bashkësia ndërkombëtare kërkon në tërësi një zbutje të kësaj klime por gjithsesi lufta e nervave vazhdon. Nganjëherë kjo duket sikur është një luftë mes dy liderëve të shteteve. Në fakt analistët kanë filluar ta quajnë kështu madje duke bërë edhe biografinë e dy udhëheqësve. Nga njëra anë është Erdogan i lindur në vitin 1954 nga një familje e thjeshtë që banonte në një lagje të Stambollit, përfundoi studimet në ekonomi dhe tregti madje se luante edhe futboll si mesfushor. Nga ana tjetër, Assad ka lindur në vitin 1965, djali i dytë i presidentit Hafez, një prej liderëve më të fuqishëm të Lindjes së Mesme, gjithmonë kundra Izraelit dhe amerikanëve. Erdogan fillon karrierën me lëvizjen e frymëzuar islamike dhe në vitin 1994 zgjidhet kreu i bashkisë së Stambollit. Në të njëjtin vit vdes djali i parë i Assad-it dhe Bashar do të jetë pasuesi i të atit. Në vitin 1998, Erdogan burgoset për nxitje të urrejtjes fetare ndërsa Assad ndodhet në Londër për të frekuentuar shkollat prestigjioze angleze. Martohet me Asma Akras. Nga ana tjetër gruaja e Erdogan quhet Emine dhe është nga ato gra të shumta që mbulon fytyrën. Në vitin 2000, pas vdekjes së të atit Assad bëhet president. Ishte i ri dhe nga ai kërkoheshin reforma. Erdogan nga ana e tij fiton zgjedhjet në vitin 2002, dhe do të ‘sundojë’ për rreth dhjetë vjet. Europa ka dyshimet e saj dhe ngurron të pranojë Turqinë në Bashkimin Europian por ndërkaq ekonomia turke fillon të rritet fuqishëm edhe pse është një vend që nuk ka rezerva nafte dhe gazi. Ndërkaq ministri i Jashtëm turk, Davutoglu nxjerr edhe formulën e tij “zero probleme me fqinjët”. Në këtë mënyrë pas vitesh e vitesh ‘lufte’ që kishte nisur që prej vitit 1998, kur Siria mbronte Oçalanin, dy vendet filluan të afroheshin duke krijuar madje një zonë të lirë për mallrat dhe njerëzit. Më pas të dy kalojnë edhe pushimet me familjet e tyre në një det në Turqi. Por sidoqoftë të dy janë të ndryshëm. Erdogan është më i vendosur, konservator por liberal në ekonomi dhe kërkon që të shndërrohet në një udhëheqës të Lindjes së Mesme. Aleat i Teheranit dhe i hezbollahëve libanezë, Assad përfaqëson një vend arab që dominohet nga një familje e vetme. Një Erdogan i zgjedhur nga zgjedhje demokratike kërkonte gjatë pranverës arabe që Assad të zgjidhte revoltat me mjete paqësorë. Ndoshta pikërisht këtu ishte edhe gabimi fatal. Një udhëheqësi në Lindjen e Mesme nuk duhet t’i thuash se si do të mbretërojë. Shkruan një gazetar turk në shtypin e këtyre ditëve se: “Në këto anë më tepër se GDP janë të rëndësishme armët dhe cinizmi për t’i përdorur ato”. Tani në këtë situatë të re të krijuar Erdogan edhe pas votimit në parlament për aksione ushtarake ndoshta nuk mund të luftojë me Assad –in. Edhe perëndimi nuk do të ishte dakord për këto sulme por edhe vetë turqit do të kishin dyshimet e tyre. Por fjalët kanë qenë të forta gjithsesi. Erdogan ka deklaruar se “Siria do t’i paguajë me një çmim të shtrenjtë incidentet”. “E përsëris edhe një herë për regjimin e Assad –it dhe mbështetësit e tij: mos vini në provë durimin e Turqisë. Turqia do të dalë pa asnjë të gërvishtur ndërsa ju […]”. Parlamenti turk ndërkaq ka autorizuar “operacione ushtarake në vende të huaja”. Edhe Nato ka bërë të ditur se nuk do të mbështeste një sulm të Turqisë edhe pse për të mbështetur turqit do të ishin shumë të gatshëm dy shtete si Arabia Saudite dhe Katari. Por Siria ndërkaq ka patur humbje të mëdha nga luftimet e brendshme. Nga 330 mijë ushtarë që kishte në vitin 2011 tashmë mund të ketë rreth 40 mijë të tillë. Shumë prej ushtarakëve kanë dezertuar rreth 10 mijë kanë rënë në fusha të betejës dhe mbi 40 mijë janë të plagosur. Sidoqoftë Siria ngjall frikë sepse disponon një arsenal të rëndësishëm kimik që mund të përdoret në rast të një sulmi të jashtëm. Në të njëjtën kohë është e pajisur edhe me armë ruse që mund të godasin shumë rëndë Turqinë. Por forcat turke janë pas forcave amerikane forcat më të shumta në numër të Nato-s. Me rreth 600 mijë ushtarë dhe 4 mijë tanke. Armatimet turke janë gjermane dhe amerikane ndërsa ato siriane janë ruse, bjelloruse dhe kineze.
...