E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biznesi grek, interes për të investuar në Shqipëri

08-10-2012 / Gazeta 55

Trikalla, zhvillohet forumi ekonomik për shkëmbimet tregtare Greqi-Shqipëri

Biznesi grek shfrytëzoi këtë takim për të gjetur hapësirat e zgjerimit të mëtejshëm të shkëmbimeve ekonomike e tregtare mes dy vendeve tona si dhe eksplorimin e potencialeve ekonomike të Shqipërisë, pas krizës së tejzgjatur ekonomike që po dominon fqinjin jugor ku dhe burimet janë gjithnjë e më të pakta. Pjesëmarrësit shprehen interesin për të vijuar me forume të tilla informuese e vendosje kontaktesh edhe në zona të tjera të Greqisë

Dje u zhvillua në qytetin e Trikalas Forumi i përbashkët Ekonomik shqiptaro-grek, me temën “Hapja e rrugëve të reja të shkëmbimeve tregtare mes Greqisë e Shqipërisë”, organizuar me iniciativën e Federatës së Dhomave të Tregtisë të zonës së Thesalisë, si dhe Bashkisë së Trikalas. Në aktivitet merrnin pjesë autoritetet më të larta të zonës, kryetari i Bashkisë së Trikalës, përfaqësues i Prefekturës së Thesalisë, kryetarët e disa dhomave të tregtisë nga gjithë Greqia, kryesisht të Peloponezit e Greqisë veriore.
Sikurse, në forum, merrnin pjesë gjithashtu Ambasadori i Republikës së Shqipërisë, zëvendës/ministri i Ekonomisë e Energjetikes, Neritan Alibali, shefja e zyrës për bashkëpunimin ekonomik në Ambasadën greke në Tiranë, si dhe përfaqësuesi i departamentit për bashkëpunimin ekonomik në Ministrinë e Jashtme Greke.
Ishin prezent gjithashtu shoqatat e komunitetit të shtetasve shqiptarë në Greqi.
Vlen të theksohet se ky aktivitet me një pjesëmarrje shumë të gjerë, zgjoi një interes të veçantë për temat që trajtoi.
Përfaqësuesit e botës së biznesit patën mundësinë të njiheshin me situatën ekonomike të Shqipërisë, me progresin e realizuar vitet e fundit në plotësimin e kuadrit ligjor, si dhe për krijimin e gjithë lehtësirave të nevojshme për të përshpejtuar procedurat e regjistrimit e fillimit të një aktiviteti tregtar në vend.
Duke e konsideruar këtë takim si një mundësi shumë të mirë për të gjetur hapësirat e zgjerimit të mëtejshëm të shkëmbimeve ekonomike e tregtare mes dy vendeve tona fqinje, pjesëmarrësit shprehen interesin për të vijuar me forume të tilla informuese e vendosje kontaktesh edhe në zona të tjera të Greqisë.
Ndërkohë që u ra dakord që ky forum dypalësh, si një angazhim serioz me përfaqësues të ekzekutivit e të komunitetit të biznesit, të ketë vijueshmëri me takime e aktivitete të tjera, kësaj radhe në Tiranë, duke konkretizuar kështu vendosjen e urave të bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të ndërsjellët. Përfaqësues të komunitetit të biznesit grek shfaqën interes për të orientuar investimet drejt Shqipërisë, aty ku klima e zhvillimit të biznesit motivohet nga sistemi fiskal dhe modeli i suksesshëm ekonomik. Faktorë të cilët bënë të mundur që Shqipëria të mos përjetonte recensionin e egër ekonomik, ndryshe nga vendet e eurozonës, veçanërisht fqinjin tonë jugor.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›