Turqia frikësohet nga gjobat, redukton importet e naftës nga Irani
Kompania kombëtare e naftës në Turqi, Tupras, ka bërë të ditur se ka shkurtuar blerjet e saj të naftës nga Irani për 20 për qind, në përpjekje për të shmangur gjobitjen nga Shtetet e Bashkuara.
Uashingtoni ka thënë se do të penalizojë kompanitë e huaja që bëjnë transaksione me Bankën Qendrore të Iranit, e cila merret me transaksionet financiare të eksporteve të naftës.
Gjatë këtij muaji, SHBA ka përjashtuar Japoninë dhe dhjetë vende të BE-së nga gjobitja, pasi ato kanë ulur varësinë e tyre nga nafta iraniane.Turqia importon një të tretën e naftës së saj nga Irani.
Perëndimi ka miratuar një sërë sanksionesh kundër Republikës Islamike për shkak të programit të saj bërthamor, për të cilin druan se ka për qëllim krijimin e armëve atomike, pretendimet të cilat hidhen poshtë nga Teherani.