Turqia heq Iranin nga lista e vendeve të rrezikshme
Ankaraja zyrtare vendosi të heqë shtetin e Iranit nga lista e vendeve që mund të përbëjnë rrezik për Turqinë. Zyrtarët e lartë turq e kanë nënshkruar këtë vendim në dokumentin e tij për politikën e sigurisë kombëtare, që njihet ndryshe edhe si e ashtuquajtura "kushtetutë sekrete" turke. Lajmi u njoftua ditën e hëne nga e përditshmja e njohur turke ''Milliyet''.
Këshilli i Sigurisë Kombëtare, (MGK), do të miratojë një dokument në këtë kuadër gjatë mbledhjes së tij të ardhshme në tetor, ku nuk do të figurojë më Irani, vend fqinj i Turqisë. Irani ishte akuzuar nga fuqitë perëndimore për një program të fshehur bërthamor, si një kërcënim e veçantë, siç thuhej sipas gazetës "Milliyet".
MGK është organ konsultativ i përbërë nga drejtuesit e qeverisë dhe ushtrisë që ndjek kryesisht linjat më të rëndësishme të politikës së jashtme. Ky vendim i Turqisë pritet që të ketë një ndikim në marrdhëniet e shtetit me shumicë myslimane më properendimor, me shtetet e tjera të perëndimit, sidomos me një aleat të vjetër ushtarak dhe ekonomik siç është SHBA-ja.