E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turqit e Kalimashit lirojnë tunelin

Hapet kahu i jugut, kurse veriu, në tetor. Mbyllet “tmerri” i rrugës së vjetër

Pas mundimesh të shumta 6-mujore, firma ndërtuese dhe autoritetet shtetërore hapin kalimin për njërin tunel të Rrëshen-Kalimashit, duke u dhënë gëzimin e parë banorëve të Kukësit, Kosovës, si dhe bizneseve nga Maqedonia. Orari zyrtar ishte caktuar 10-ta e ditës së djeshme, por kamionët me mall kishin mbërritur një natë më përpara, duke zënë të parët radhën që vinte duke u zgjatur me afrimin e hapjes së tunelit në kahun jugor. Autoritetet kishin marrë masa të mos shkelej rregulli, duke thirrur në gatishmëri forca të ndryshme policie, kurse nga pala turke që menaxhon tunelin ishin përforcuar patrullat, disiplina e të cilave i ngjante një pike doganore ku tentohet të kalohet ilegalisht. I pari që pati nderin të kalonte tunelin e Thirrës ishte ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, i shoqëruar nga gazetarët, të ndarë në tre grupe, ku i fundit nuk pati mundësi të asistonte në ceremoni, për shkak vonese. Ishin të kota përpjekjet e ministrisë për ta bindur kompaninë turke që të lejonte grupin e mbetur të gazetarëve. “Më vjen keq, kam marrë urdhër të mos lejoj kalimin pa rregull. Duhet të pres ardhjen e makinave që vijnë nga krahu tjetër, në mënyrë që të kaloni, pasi tuneli është i hapur vetëm me një sens. Më vjen keq ta përsëris. është e kotë t’i ankoheni ministrit. Edhe sikur Berisha të ishte me ju, nuk do lejoja kalimin në tunel pa mbaruar radha”, tha njëri nga shefat turk të kompanisë “Savronik”. Sakaq, radha e gjatë e automjeteve sa vinte e bëhej kilometrike, ndërsa padurimi i drejtuesve të automjeteve për të kaluar tunelin binte në sy nga boritë e makinave dhe pritja e gjatë gati 12-orëshe. Rruga aktuale, e coptuar dhe me kthesa, që zgjat mbi 6 orë, i kishte bërë banorët e zonës, por edhe tregtarët, akoma e më të paduruar në aksin e ri që lidh Tiranën me Kukësin për afro 2 orë e gjysmë. Një ditë më parë, katër banorë të zonave përreth kishin rrahur rojën, pse nuk i kishte lënë të kalonin.

Mijëra njerëz të grumbulluar para portës së ëndrrës në orën 09:30 pritën pa brohoritje hapjen e portës së tunelit. Rreshti i automjeteve te hyrja lindore e tunelit ishte formuar qysh nga orët e natës, madje të ditës së shkuar dhe ishin jo pak, por plot 4800 të tilla që kaluan tunelin në më pak se dy orë, dhe po aq mjete ndodheshin edhe në anën tjetër të tunelit. Tashmë, përgjithnjë Kukësi ndodhet vetëm 1 orë e 30 minuta larg kryeqytetit, gjithashtu Prishtina ndodhet për herë të parë dhe tashmë përgjithnjë vetëm 3 orë larg Tiranës.

Patrullat e kompanisë “Savronik” i kishin marrë të gjitha masat për shmangien e incidenteve, ndërkaq punëtorët turq kishin ndërprerë punën, me vëmendjen nga turmat e njerëzve që brohorisnin me dy gishta lart dhe boritë e makinave që përshëndesnin njëra-tjetrën. Ndërsa vargu i gjatë i mjeteve nisi udhëtimin, nga dritarja e makinës, një pasagjer i dehur apo thjesht i ekzaltuar, thërret duke bërë me dorë, ku mbante një tas birre: “Lamtumirë o rrugë e vjetër e mundimeve, he t`marrsha të keqen o Salë Berisha”. Nuk mungonte as drejtuesi i një enti lokal, i cili në shenjë falënderimi kishte vendosur një kollare me ngjyra të flamurit amerikan, ndërsa përshëndeste me dy gishta makinat.

Për kalimin e tunelit, mjetet e transportit duhet të ishin të shoqëruara nga tre patrulla të firmës që menaxhon punimet, dhe varg ecnin me shpejtësi të komanduar, që zgjat afro 10 minuta. Me daljen nga tuneli (i jugut), patrullat i bëjnë shenjë me altoparlant radhës tjetër të makinave që prisnin të kalonin pas lirimit të aksit. Pra, i hapur është vetëm njëri tunel, me dy akse, por që vetëm njëra pjesë lejohet, kurse tjetra përdoret për emergjenca. “Kjo manovër u vendos për të shmangur incidentet nga parakalimi. Megjithatë, sot si dita e parë, ka radhë, por në të ardhmen do të bjerë”, tha për gazetën drejtori i Përgjithshëm i rrugëve, Andi Toma.

Në mënyrë informale, punonjësit e kompanisë turke deklaronin se punimet për hapjen e tunelit tjetër do të mbyllen në tetor të këtij viti, dhe deri atëherë do të kalohet me sens të alternuar. Disa punonjës të “Savronik” nuk përjashtonin mundësinë e kalimit të tunelit me pagesë, madje konfirmonin se kishin parë shkarkimin e pjesëve të postblloqeve që do vendosen para tunelit. “Qeshni dhe gëzoni sot, se nesër do të jetë me pagesë”, ishte paralajmërimi me nënqeshje i një punonjësi që ishte marrë me ndërtimin e tunelit pas shembjes. Kurse pala shqiptare në projekt nuk guxonte të fliste, qoftë ndonjë përshëndetje. “Rrezikojmë vendin e punës nëse na shikojnë duke folur me gazetarë”, tha njëri duke ulur kokën.

Dyshimet mbi mundësinë e pagesës i sqaroi drejtori i Rrugëve, Andi Toma. “Nuk ka asnjë vendim për të vendosur trarë në dy anët e rrugës kundrejt pagesës. E vërteta është se kostoja për mirëmbajtjen e rrugës Rrëshen-Kalimash vlerësohet e lartë, por nuk më takon mua të jap qëndrim”, tha Toma. Edhe shefi i personelit mbikëqyrës të tunelit, Xhevat Toda, e hedh poshtë hipotezën e taksës. “është krejt gratis kalimi në tunel, nuk bëhet fjalë për asnjë taksë, të paktën as është në plan një gjë e tillë”, tha ndërkaq shefi i zjarrfikësve. çdo turn kishte në punë 12 specialistë, të cilët drejtonin lëvizjet e mjeteve në tunel për të shmangur çdo mundësi aksidentesh dhe dëmtimi të jetës njerëzore.

Me hapjen e tunelit, partnerët e projektit kishin finalizuar edhe kullën e vrojtimit, me disa monitorë që lidhen me 70 telekamera sigurie për tunelin. Drejtuesit e kompanisë “Bechtel&Enka” i tregonin ministrit Olldashi mënyrën e funksionimit të Kullës së Kontrollit, ndërsa nuk munguan deklaratat e kortezisë.

Kthimi nuk qe i vështirë, pasi radha ishte reduktuar. Të parët që kaluan tunelin, pas ministrit, ishin disa kamionë me targa të Shkupit, si dhe plot të tjerë nga Kosova e Kukësi. Nuk mungonin autobusët me grupe ekskursionistësh, ndërsa fluks tepër i madh makinash me targa të Kosovës shkëmbenin njëra-tjetrën me krenari.

Nga Thirra, ARD KOLA
Sulejman Dida

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›