E Diel, 1 Nëntor 2026

Sezoni 2010, Durrësi ka ende probleme me ujin

Qyteti do të ofrojë pushim në resurse natyrore, turizëm kulturor, mikpritje dhe cilësi shërbimesh

është çelur zyrtarisht në Durrës sezoni turistik për vitin 2010. Ndonëse dielli ka qenë i kursyer në këtë ditë, ceremonia e zhvilluar për çeljen e sezonit dhe aktivitetet e shumta në rërë dhe det i kanë dhënë gjallërinë e nevojshme. Në pothuajse çdo sezon gjatë viteve të fundit janë afro gjysmë milioni turistë vendas, nga Kosova dhe rajoni, që zgjedhin Durrësin për të pushuar, duke shijuar resurset natyrore, por edhe turizmin kulturor e arkeologjik që rrethi bregdetar ofron. Duke e deklaruar të hapur sezonin turistik, kryebashkiaku Vangjush Dako tha se qyteti dhe plazhi i tij do të ofrojnë mikpritje dhe cilësi shërbimesh për të gjithë pushuesit. Por, si dhe në vitet e tjera, problemet nuk mungojnë. Gjatë mbledhjes së organit këshillimor të prefektit, mbi masat e marra për një sezon të suksesshëm turistik në të gjithë Qarkun e Durrësit, rezultoi se ende ka probleme në drejtim të furnizimit me ujë të pijshëm të plazheve, por dhe në drejtim të infrastrukturës rrugore e kanalizimeve. Operatorët turistikë të pranishëm në këtë takim ngritën problemin e furnizimit me ujë, atë të ritmeve të ngadalta të punimeve në rikonstruksionin e rrugës Plepa-Rrogozhinë, si dhe të motorëve të ujit që janë tepër shqetësues për pushuesit.

Kërkesat

Kreu i Komunës së Rrashbullit, Hysen Gashi, që ka në territorin e saj dhe zonën e Shkëmbit të Kavajës, duke u ndalur te problemet që shkaktojnë punimet në rrugë nga firma “Alba-Italia”, tha se i është tërhequr vëmendje bashkë me FZHSH-në për ritmet e ngadalta dhe ndonëse kërkoi shtyrje të afatit të dorëzimit, rruga do të përfundojë më 10 korrik. Zbatimi i projekteve për infrastrukturën rrugore dhe rrjetin e kanalizimeve në këtë pjesë të bregdetit pritet t’i japë fund funksionimit të gropave septike dhe derdhjes në det të ujërave të zeza. Prefekti Genci Alizoti kërkoi nga të gjithë drejtuesit e organeve dhe institucioneve lokale një angazhim të plotë dhe koordinim të punëve për të mundësuar një sezon turistik cilësor dhe pa probleme.

Inspektimi

Alizoti kërkoi ngritjen e grupeve të ndryshme të inspektimit për të shmangur edhe abuzimet me kushtet e tregtimit të produkteve ushqimore që në jo pak raste kanë shkaktuar helmime, po dhe gatishmërinë e strukturave për të mënjanuar probleme të tjera që mund të rrezikojnë shëndetin e njerëzve. Të gjithë raportuan për më shumë masa në këtë sezon, veçanërisht në drejtim të kontrolleve për cilësinë e ujit të detit dhe atij të pijshëm, higjienën dhe kontrollin e ushqimeve, rendit e sigurisë, si dhe shmangies së vjedhjeve që sezonin e kaluar u shndërruan në një problem të mprehtë. Ndërkaq, masa janë marrë për pritjen e fluksit të emigrantëve që vijnë për të pushuar në atdhe nga pikat kufitare detare. Rreth 62 për qind e volumit vjetor të pasagjerëve përpunohet në kohën e sezonit të verës nga 15 qershori deri më 15 shtator.

Shqetësimi: Motorët e ujit

Në përgjigje të shqetësimit të krijuar mes pushuesve, por edhe operatorëve turistikë për veprimtarinë e motorëve të ujit në plazhe, drejtori i Drejtorisë së Kufirit për vijën bregdetare që shtrihet nga Lushnja deri në kufi me Malin e Zi, Naim Manuka, kërkoi nga bashkitë e komunat bregdetare të bashkëpunojnë dhe përcaktojnë vend-bazimet e motorëve të ujit, si dhe hapësirat ujore ku mund të përdoren. Sipas tij, motorët duhet të përdoren 200 metra larg vendit ku pushojnë dhe lahen turistët. “Ne kemi vetëm 4 mjete lundruese në dispozicion për të gjithë veprimtarinë tonë dhe nuk mund ta përballojmë ngarkesën, po në bashkëpunim me njësitë vendore dhe individët që kanë marrë në përdorim pjesë të plazheve, mund të realizohet një sezon pa probleme dhe të shmangen fatkeqësi si ajo e një viti më parë, kur një pushues nga Kosova humbi jetën nga një motor uji”, tha Manuka. Ndonëse janë të rrezikshëm në përdorimin e tyre pa kriter dhe pa kujdes, motorët janë lënë jashtë moratoriumit të mjeteve lundruese, gjë që tregon se gjithsesi pushuesit duhet të jenë të kujdesshëm teksa lahen në ujërat detare. Ndërkaq, ka mjaft operatorë turistikë, disa prej tyre në plazhin e Shkëmbit të Kavajës, që shprehen kundër lejimit të tyre në plazhet masive.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›