U ankuan truprojat e Vulinit, Policia nën hetime

U ankuan në EULEX se Policia e Kosovës i ka keqtrajtuar pas arrestimit dhe për këtë gjë tani Inspektorati Policor i Kosovës ka nisur hetimet e para, ndaj zyrtarëve policor të cilët u morën me këtë rast. Dhjetë serbët e arrestuar në Graqanicë, të prezantuar si truproje të shefit të zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Aleksander Vulin, i kanë nxjerrë punë IPK-së.
“Policia e Kosovës, pavarësisht të gjitha shkrimeve, deklarimeve dhe vlerësimeve të bëra lidhur me këtë rast, pasi që EULEX-i ka pranuar një ankesë nga personat e ndaluar nga policia me datë 7.1.2013, për keqtrajtim të supozuar të tyre nga njësitet policore, ka kërkuar nga Inspektorati Policor i Kosovës fillimin e hetimeve të pavarura”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Policia e Kosovës me qëllim të trajtimit me prioritet dhe seriozitet të lartë të këtij rasti, ka kërkuar fillimin e hetimeve të pavarura nga IPK-ja.
Pavarësisht nga qasja dhe kahja mediale që i është dhënë këtij rasti nga disa media, menaxhmenti i Policisë së Kosovës çdo herë është i përkushtuar që të përmbushë misionin, vizionin dhe objektivat e saj ligjore, duke iu përkushtuar trajtim të veçantë dhe të barabartë të drejtave të njeriut pa asnjë dallim./Indeksonline/