U arrestua gjatë operacionit “Metamorfoza”, KLP pezullon nga detyra kryeprokurorin e Kukësit, Xhevahir Lita

Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka pezulluar nga detyra kreun e Prokurorisë së Kukësit, Xhevahir Lita, i cili u arrestua gjatë operacionit “Metamorfoza”. Vendimi u mor në mbledhjen e sotme (31 korrik) të KLP, ndërsa Prokuroria e Kukësit do të drejtohet tashmë nga Enkeleda Hoxha, deri në zgjedhjen e drejtuesit të ri.
“Sot më datë 31.07.2023 Këshilli i Lartë i Prokurorisë, u thirr në mbledhje urgjente nga Kryetari i Këshillit, zoti Balla.
Dy vendimet që u morën sot janë: Pezullimi nga detyra e prokurorit Xhevahir Lita, drejtues në Prokurorinë e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës. Hapja e garës për drejtues në Prokurorinë e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës. Deri në zgjedhjen e një drejtuesi të ri, kjo zyrë Prokurorie do të drejtohet nga Zv/ Drejtuesja, Enkeleda Hoxha”, njofton KLP.
Xhevahir Lita u arrestua 23 korrik, gjatë një operacioni të SPAK, i akuzuar se mbylli dosjet e krimeve të fisit Bajri në Shkodër.
GJKKO miratoi 15 urdhër arreste për persona të akuzuar për një sërë ngjarjes kriminale, duke përfshirë vrasje, korrupsion e shpërdorim detyre. Vetëm 6 nga 15 persona të kërkuar ranë në pranga, konkretisht: Pëllumb Gjoka, Edmond Preka, Astmer Bilali, Ardit Hasanpapaj, Oltion Bistri dhe Xhevahir Lita. Ndërkohë janë shpallur në kërkim: Behar Bajri Brahoviç, Ervis Martinaj, Denis Bajri Brahoviç, Klaudio Haka, Prekë Kodra, Aleks Ndreka, Arsat Bashli, Bardhyl Mavraj si dhe Elion Hato.
Hetimet e SPAK, ndihmuar nga autoritet ndërkombëtare si Europol dhe Eurojust, kanë zbardhur rolet e çdo të akuzuari në ngjarje të rënda kriminale në vend, si vrasja e Gjin Ndojit apo 3 vrasje të mbetyra në tentativë si ajo e Kleanthi Musablleiut. Ish-efektivi i policisë Edmond Preka, që prej disa kohësh shërbente si shofer i biznesmenit Pëllumb Gjoka, dyshohet se ka pasur rol aktiv në vrasjen e Gjin Ndojit dhe planit për të vrarë Kleant Musabelliun.
Në vrasjen e Gjin Ndjoit që dyshohet të jetë kryer nga Behar Bajri dhe klani i tij ai ndihmoi autorët të largohen nga vendi i ngjarjes ndërsa ka informuar grupin e Ervis Martinajt me foto dhe informacione mbi lëvizjet e shënjestrës, Musabelliut. Plani për vrasjen e ish policit fillimisht në bazë të transkripteve, ishte marrë përsipër nga Behar Bajri.
/rtsh.al/