U arrestua në Rinas, Apeli lë në burg 32-vjeçaren turke të kërkuar nga Turqia

Gjykata e Apelit të Përgjithshëm ka lënë në fuqi masën “arrest në burg” për Julide Yazici, 32-vjeçarja turke e arrestuar më 4 gusht në aeroportin e Rinasit.
Yazici u arrestua pasi rezultonte e shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet turke. Ajo është dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Apelit të Stambollit me 4 vite e 2 muaj burgim, për veprën penale të “pjesëmarrjes në organizatë terroriste”.
Sipas të dhënave të bëra publike nga autoritetet shqiptare, 32-vjeçarja dyshohet se ka mbështetur protesta në mbrojtje të të drejtave të kurdëve.
Por çështja e saj ka një tjetër element, pasi Yazici ka përfituar azil politik në Francë.
Pas arrestimit në Shqipëri, mbrojtja e saj ka kundërshtuar masën e sigurisë, por Apeli ka vendosur të lërë në fuqi “arrestin në burg”, ndërsa vijojnë procedurat gjyqësore lidhur me kërkesën e autoriteteve turke.
32-vjeçarja do të qëndrojë në burg në Shqipëri deri në vijim të procedurave për çështjen e saj.