U bllokua nga ortekët e borës, nis hapja e rrugës Qafë Thore-Tunelet Panoramike

TIRANË, 18 shkurt/ATSH/ Në qarkun e Shkodrës ka nisur ndërhyrja për hapjen e rrugës Qafë Thore – Tunelet Panoramike, që ka qenë e bllokuar prej disa ditësh për shkak të rënies së ortekëve dhe reshjeve intensive të borës.
Prefektja e Qarkut Shkodër, Holta Duda dhe ekipi i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile inspektuan në terren rifillimin e ndërhyrjes për hapjen e aksesit në këtë zonë.
Duda bëri të ditur se aktualisht, për shkak të uljes së temperaturave, janë krijuar kushtet për të vijuar pastrimin e ortekëve.
“Kontraktori vijon punën pandërprerë për pastrimin e zonës mes tre tuneleve, me qëllim garantimin e sigurisë dhe rikthimin gradual të normalitetit në qarkullim”, tha ajo.
Duda apeloi për kujdes maksimal dhe respektim të sinjalistikës deri në përfundimin e operacionit.
Sipas saj, “aksi vazhdon akoma të jetë i mbyllur deri në përfundim të pastrimit dhe verifikimit të sigurisë për qarkullim”.
Duda u bëri thirrje drejtuesve të mjeteve të ndjekin njoftimet nga autoritetet përkatëse për përditësim në lidhje me situatën në këtë aks.
/m.m/j.p/