E Diel, 1 Nëntor 2026

“Korridori VIII” rrugor dhe hekurudhor/ Si po ecën realizimi i aksit strategjik në territorin shqiptar?

Korridori VIII, një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore për integrimin rajonal, po avancon gradualisht si në komponentin rrugor, ashtu edhe në atë hekurudhor. Me zanafillë si projekt rajonal i viteve ’90 dhe i përfshirë më pas në rrjetin prioritar europian TEN-T, korridori synon të lidhë portin e Durrësit dhe Vlorës me Maqedoninë e Veriut dhe më tej me Bullgarinë, duke krijuar një aks strategjik mes Detit Adriatik dhe Detit të Zi.

Në komponentin rrugor, gjatë këtij viti pritet përmbyllja e disa loteve në segmentin Elbasan – Qafë Thanë. Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar, përveç lotit I, që është tashmë i përfunduar, brenda vitit synohet mbyllja e fazave II, III dhe V, të cilat përfshijnë segmentin nga Labinot-Fushë deri në Librazhd. Faza V parashikon ndërtimin e tunelit, i ndarë në dy segmente, njëri prej të cilëve nis pas urës së Murrashit, duke lidhur drejtpërdrejt fazën III me vijimin e aksit. Në total, në drejtimin Elbasan – Qafë Thanë janë 8 kontrata që mbulojnë 26 kilometra.

Paralelisht, brenda vitit 2026 pritet të përfundojnë edhe 6 lote të tjera në drejtimin Elbasan – Rrogozhinë, që mbulojnë rreth 20 kilometra nga 40.7 km gjithsej. Pas përfundimit, aksi do të jetë rrugë interurbane e kategorisë B, me nga dy korsi për secilin drejtim dhe shpejtësi të lejuar nga 90 deri në 140 km/orë.

Gjithsesi, për të bërë lidhjen e plotë do të duhet të mbeten për t’u tenderuar edhe një sërë segmentesh. Në drejtimin nga Elbasani në Qafë Thanë do të duhet të kontraktohet ndërtimi i rrugës nga fshati Xhyrë deri në lidhjen me Maqedoninë e Veriut. Ndërsa, në drejtimin Elbasan – Rrogozhinë, mbetet për t’u prokuruar segmenti nga Peqini deri në lidhjen me autostradën Adriatiko – Joniane. Gjithashtu, do të duhet të ndërtohet edhe bypass-i i Elbasanit që do të lidhë 2 segmentet që janë duke u ndërtuar aktualisht.

Në frontin hekurudhor, segmenti Durrës – Rrogozhinë konsiderohet projekti më i afërt drejt realizimit. Financimi prej 120.5 milionë eurosh është siguruar përmes një granti prej 60.5 milionë eurosh nga Bashkimi Evropian dhe dy kredive nga Banka Evropiane e Investimeve dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Rehabilitimi dhe elektrifikimi i linjës 33.5 km pritet të përfundojë në vitin 2028, duke mundësuar shpejtësi trenash deri në 120 km/h dhe përafrim me standardet europiane.

Ndërkohë, aksi Rrogozhinë – Pogradec, me gjatësi 120.3 km, ndodhet në fazën e përgatitjes së projektit të detajuar, që pritet të përfundojë në mars 2027. Ky proces financohet nga një grant i Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor, ndërsa pas maturimit të projektit pritet aplikimi për grant dhe kreditë përkatëse. Me një gjatësi totale prej 153.8 km në territorin shqiptar, komponenti hekurudhor i Korridorit VIII synon të reduktojë kostot e transportit, të rrisë sigurinë dhe të ulë emetimet, duke e përfshirë Shqipërinë në një rrjet multimodal rajonal.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›