U ekstradua dje nga Dubai, Durim Bami kërkon transferimin në burgun e Fushë Krujës

Durim Bami, i cili u ekstradua ditën e djeshme (27 shkurt) nga Dubai, ka kërkuar që të mos e kryej dënimin te burgu 313, por të transferohet në burgun e Fushë Krujës.
Durim Bami ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale, ose grup i strukturuar kriminal”.
Sipas Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Durim Bami drejtonte e financonte një grup që kultivonte kanabis në Nikël dhe Bubq gjatë viteve 2019-2020 dhe sërish në shtator 2020, duke administruar të gjithë aktivitetin.
Po sipas dosjes së SPAK, Bami akuzohet se kishte kërkuar eliminimin fizik të ish-deputetit socialist Arben Ndoka.
/rtsh.al/