U godit nga një biçikletë elektrike, kryebashkiaku i Komos vendos ndalim të përgjithshëm në qytetin italian

Kryebashkiaku i Komos ka ndaluar ngarjen e biçikletave në zona të caktuara të qytetit historik italian, pasi u godit nga një biçikletë elektrike.
Alessandro Rapinese tha se ndalimi ishte i nevojshëm për të përmirësuar sigurinë publike. Kjo do të thotë që nga shtatori, çiklistët do të duhet të zbresin nga biçikletat në një zonë prej rreth 30 rrugësh.
“Njerëzit veprojnë bazuar në përvojat e tyre dhe unë e di se si është të të godasë një nga këto bisha”, tha ai.
Disa autoritete të tjera lokale në të gjithë Evropën, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, kanë kufizuar vendin dhe mënyrën se si mund të përdoren biçikletat elektrike.
Masa e propozuar nga Rapinese është pjesë e një pakete rregulloresh të reja të trafikut, që krijojnë një Zonë të Kufizuar Trafiku (ZTL) për të menaxhuar rritjen turistike dhe që vendosin rregulla më të rrepta për makinat dhe furgonët në qendër të qytetit.
Masa vlen si për biçikletat elektrike ashtu edhe për ato jo elektrike, pasi kodi italian i rrugëve nuk bën dallim midis modeleve.
Rapinese e shpjegoi vendimin e tij në një video si pjesë e një serie videosh online që ai prodhon vetë, të njohura si RapiNews24.
Ai tregoi një incident në të cilin kishte dalë nga bashkia në korrik dhe ishte përplasur me një biçikletë elektrike pak pasi administrata e tij kishte diskutuar kufizimet e trafikut në qendër të qytetit.
“Në këtë rast, unë as nuk përfundova në spital,” tha Rapinese. “Më goditi një biçikletë. Mblodha informacione dhe ja nga erdhi masa.”
Qendra e Komos, e rrethuar me mure romake, është tashmë e mbuluar nga një zonë me trafik të kufizuar dhe biçikletat janë bërë një metodë transporti për vendasit.
Rregulloret e reja të trafikut për ZTL nënkuptojnë se disa automjete do të kërkojnë një leje vjetore dhe, për çdo ditë hyrjeje, një pagesë prej 3 eurosh.
Dërgesat në dyqane dhe restorante do të lejohen vetëm midis orës 06:00 dhe 23:00, ndërsa turistët që qëndrojnë në hotele do të jenë në gjendje të hyjnë në qendër me makinë vetëm nëse vendi i tyre i akomodimit ka parkim.
Ndalimi është përballur me reagime negative nga vendasit dhe është nisur një peticion online për të bllokuar rezolutën.
Komo nuk është qyteti i parë italian që kufizon biçikletat në zonat historike ose të populluara. Në Palermo, biçikletat janë kufizuar në disa pjesë të rrugëve kryesore që nga viti 2023.
/rtsh.al/