U konfliktua me një person në një lokal në Vlorë dhe tentoi të fshihte armën, arrestohet 39-vjeçari

Një konflikt i ndodhur brenda ambienteve të një lokali në lagjen “Uji i Ftohtë”, në Vlorë, mund të kishte përfunduar në ngjarje të rëndë kriminale, por është parandaluar në kohë nga ndërhyrja e policisë.
Sipas policisë, 39-vjeçari me inicialet A. Sh. dyshohet se është konfliktuar për motive të dobëta me shtetasin B. J., 30 vjeç. Gjatë ndërhyrjes së uniformave blu, është konstatuar se A. Sh. mbante me vete një armë zjarri pistoletë me krehër me fishekë.
Në momentin e ndërhyrjes, 39-vjeçari ka tentuar ta fshehë armën në një lulishte pranë lokalit, por arma e zjarrit është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
39-vjeçari u arrestua në flagrancë, ndërsa materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
/rtsh.al/