U kthye nga Italia në Fishtë, Brunga furnizon me qumësht, vezë e mish agrobizneset e Lezhës

TIRANË, 16 prill /ATSH- Etleva Xhajanka/ Në fshatin Fishtë të Lezhës, historia e fermerit Fran Kol Brunga është një nga ato rrëfime që ndërthurin emigracionin, përvojën e fituar jashtë vendit dhe rikthimin në vendlindje për të ndërtuar një ekonomi familjare të qëndrueshme në bujqësi.
Disa vite më parë, Brunga ishte emigrant në Itali, ku punoi dhe u formua profesionalisht në fushën e blegtorisë, mbarështimin e gjedhit, si edhe në prodhimin e produkteve të përpunuara. Aty, siç tregon vetë për ekipin e ATSH-së, mori njohuritë praktike mbi menaxhimin e fermave moderne, organizimin e prodhimit dhe rëndësinë e standardeve në treg.
“Çdo gjë që kam mësuar atje kam dashur ta sjell dhe ta zbatoj në fermën time në vendlindje”, shprehet ai, duke e konsideruar këtë eksperiencë si pikënisjen e transformimit të aktivitetit.
Ai na tregon se rikthimi në Fishtë nuk ishte thjesht kthim fizik, por nisje nga e para. Fillimisht, ai nisi me një fermë të vogël prej rreth 35 krerësh të imta, një aktivitet modest që kërkonte punë të përditshme dhe përkushtim familjar. Me kalimin e viteve, falë eksperiencës së fituar dhe mbështetjes nga skemat kombëtare të subvencioneve, ferma e tij është zgjeruar ndjeshëm.
Sot, ferma numëron rreth 130 krerë dele dhe dhi, duke u kthyer në një njësi prodhimi të konsoliduar në zonë. Prodhimi i qumështit, mishit dhe nënprodukteve të bulmetit është rritur paralelisht me kërkesën në treg, veçanërisht nga pikat agroturistike dhe agrobizneset që po zhvillohen në Lezhë dhe zonat përreth.
Brunga tregon se një nga faktorët kryesorë të suksesit ka qenë krijimi i një tregu të qëndrueshëm lokal.
“E shes të gjithë prodhimin dhe kam treg të sigurt. Furnizoj pikat agroturistike me qumësht, mish, vezë dhe produkte bulmeti”, thotë ai, duke theksuar se lidhja me agroturizmin ka qenë vendimtare për stabilitetin e fermës.
Përveç blegtorisë, ai ka investuar edhe në një pulari me rreth 130 shpendë, duke diversifikuar aktivitetin dhe duke rritur kapacitetet prodhuese të familjes. Aktualisht, ferma prodhon rreth 100 kilogramë qumësht në ditë, si dhe sasi të konsiderueshme mishi dhe vezësh, të cilat shpërndahen rregullisht në tregun lokal.
Një rol të rëndësishëm në zhvillimin e fermës, sipas tij, kanë pasur edhe skemat kombëtare të mbështetjes, të cilat kanë ndihmuar në zgjerimin e aktivitetit dhe përmirësimin e kushteve të punës.
Brunga punon së bashku me familjen e tij, duke e konsideruar fermën jo vetëm si burim të ardhurash, por edhe si mënyrë jetese. Ai shprehet se puna e përditshme, siguria e tregut dhe kërkesa në rritje për produkte vendase e kanë motivuar të mendojë për zgjerim të mëtejshëm.
Sipas tij, zhvillimi i agroturizmit në zonën e Lezhës ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e kërkesës për produkte bio dhe lokale, duke krijuar një cikël të qëndrueshëm mes prodhuesve dhe tregut.
Sot, historia e Brungës shihet si një shembull i kthimit të eksperiencës së emigracionit në investim konkret në vend, duke treguar se bujqësia dhe blegtoria mund të jenë një alternativë e fortë zhvillimi ekonomik në zonat rurale, kur kombinohen përvoja, puna familjare dhe tregu i qëndrueshëm lokal.
Familja fermere në Fishtë, foto: Andrin Hoxha 1 nga 19/j.p/