MUZIKË – Kanye West anulon koncertin në Poloni pas deklaratave antisemite

VARSHAVË, 18 prill /ATSH-DPA/ – Një koncert i planifikuar i Kanye West në Poloni është anuluar, njoftuan organizatorët, duke shënuar herën e tretë që një performancë e tij në Evropë anulohet për shkak të reagimeve në rritje ndaj deklaratave të tij antisemite.
West pritej të performonte më 19 qershor në qytetin jugor Chorzow, por drejtori i operatorit të stadiumit tha se koncerti është anuluar për “arsye formale dhe ligjore”.
Ministrja polake e Kulturës, Marta Cienkowska, e kishte cilësuar koncertin si “të papranueshëm” në një postim në rrjetin social X.
Duke theksuar se West ka bërë vazhdimisht komente antisemite dhe ka shitur bluza me simbole naziste, ajo tha se një performancë e tillë ka një domethënie të veçantë në Poloni.
“Në një vend të formuar nga historia e Holokaustit nuk mund të pretendojmë se ky është thjesht argëtim”, u shpreh ajo.
Më herët këtë javë, artisti shtyu një koncert në Francë pas reagimeve të ngjashme për eventin e planifikuar më 11 qershor.
Kjo erdhi pasi atij iu refuzua viza për në Britaninë e Madhe, duke çuar në anulimin e performancës së tij në “Wireless Festival”, gjë që më pas solli anulimin e gjithë festivalit.
West, 48 vjeç, konsiderohet një nga figurat më me ndikim, por edhe më polarizuese në industrinë globale të muzikës.
Ai është përballur vazhdimisht me kritika për deklarata raciste dhe antisemite, përfshirë një këngë të vitit 2025 me titull “Heil Hitler”.
Në fillim të këtij viti, ai kërkoi falje në një letër të botuar në “The Wall Street Journal”, ku ia atribuoi “sjelljen e pamenduar” dhe “gjykimin e dobët” një çrregullimi bipolar.
“Nuk jam nazist dhe as antisemit. I dua njerëzit hebrenj”, kishte shkruar ai në atë kohë. /Ad.Ab./ a.jor.