E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

U kthye nga emigrimi dhe investoi në agroturizëm në Malësinë e Madhe: Vizitorë nga e gjithë bota

TIRANË, 19 mars /ATSH/ Gëzim Hysaj, në Malësinë e Madhe, është rikthyer nga emigrimi me pasionin dhe dëshirën për të punuar dhe jetuar në vendlindje.

Ai ka ngritur një sipërmarrje agroturistike që mirëpret vizitorë nga e gjithë bota.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj e cilësoi këtë sipërmarrje një bashkëpunim të shkëlqyer me fermerët vendas.

“Me një vizion të qartë për të zgjeruar aktivitetin blegtoral, ai sjell për turistët një përvojë unike ku ndërthuren prodhimet e freskëta “Made in Albania”, ajri i pastër dhe bukuritë natyrore të Malësisë së Madhe”, tha Denaj.

Ministrja shprehu angazhimin për mbështetjen me financim të sipërmarrjeve bujqësore dhe agroturistike, që gjenerojnë punësim, më shumë të ardhura për ekonominë lokale dhe zhvillim rural.

“Me linjën e financimit të Kredisë së Butë, të mbështetur nga Garancia Sovrane dhe Paketa e Maleve, nxisim investimet në agroturizëm për zgjerimin, modernizimin dhe zhvillimin e ekonomisë lokale”, tha ajo.

Ndërsa Gëzimi tregoi se ka jetuar tre dekada jashtë vendit, por tashmë ka vendosur të rikthehet dhe të investojë në tokën e vet, në Malësi të Madhe

Ai tha se, vitin e kaluar gjatë sezonit veror, pika agroturistike e tij u vizitua nga një shumë turistë të huaj, eksperiencë që mendon se do të vijoj edhe këtë vit.

“Në të ardhme synoj të zgjeroj investimin edhe në drejtim të prodhimit të mishit nga ferma ime blegtorale, duke realizuar një cikël të mbyllur me prodhimet bazë për restorantin”, u shpreh Gëzimi, teksa vuri në dukje se prodhimet bujqësore të zonës dhe ushqimet tradicionale të zonës, janë shumë të kërkuara nga vizitorët.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›