E Enjte, 5 Nëntor 2026

U përvetësua me dokumente të falsifikuara, sekuestrohen 247.000 m2 prona në Himarë

TIRANË, 24 qershor/ATSH/ Prokuroria e Vlorës njoftoi sot se në Himarë u sekuestruan 30 pasuri, me sipërfaqe 247.000 m2, në vlerë 35 milionë euro. Kjo pasi këto prona u përvetësuan me dokumente të falsifikuara.

Sipas njoftimit për mediet, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Vlorë sekuestroi 30 pasuri në Himarë të regjistruara në emër të shtetasve J.J. dhe K.J. nën hetim për veprat penale “Falsifikimi i Dokumenteve” e kryer më shumë se një herë dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Në kuadër të procedimit penal nr. 51 të vitit 2021, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, konstatoi gjatë hetimeve se pronat, në total 247.000 metra katrorë në Himarë, me një vlerë rreth 35 milionë euro, janë përfituar nga personat e mësipërm nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara.

Gjatë hetimeve, Prokuroria arriti të provojë se dokumenti kryesor që ka shërbyer për regjistrimin dhe përvetësimin e këtyre pronave në Gjykatën e Apelit Vlorë, ka rezultuar i falsifikuar. Për rrjedhojë, me kërkesë së prokurorisë, gjykata vendosi sekuestro preventive të 30 pronave në Zonën Kadastrale 1592 në Himarë.

/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›